Gjermania ka siguruar edhe një herë fonde për riparimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke ndarë 65 milionë euro për Fondin e Mbështetjes së Energjisë për Ukrainën, njoftoi të martën Ministria gjermane e Ekonomisë, transmeton dpa.
Ky fond mbështetet nga donatorë ndërkombëtarë që nga viti 2022, pas fillimit të pushtimit rus, kujton dpa.
Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck vuri në dukje se infrastruktura civile energjetike e Ukrainës vazhdon të jetë në shënjestër të sulmeve masive ajrore ruse.
“Rënia e furnizimeve me energji në dimrin e tretë të luftës do të kishte pasoja katastrofike për ekonominë dhe popullsinë ukrainase,” tha Habeck.
Kjo e bën mbështetjen për Ukrainën më të rëndësishme se kurrë, shtoi ai.
Fondet gjermane synojnë jo vetëm financimin e riparimit të infrastrukturës së shkatërruar, por edhe promovimin e projekteve të tranzicionit drejt energjisë së gjelbër në Ukrainë, kjo e fundit synon të forcojë qëndrueshmërinë e sistemit energjetik ukrainas në terma afatgjatë, deklaroi ministria.
Me pagesën e re, pjesëmarrja totale e Gjermanisë në fondin e përmendur do të arrijë në 360 milionë euro deri në fund të vitit aktual. Gjermania mbetet donatori më i madh i këtij fondi, i cili deri në shkurt të vitit 2022 ka mbledhur rreth 629 milionë euro.