Fondacioni “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë, kanë inauguruar bustin e heroit kombëtar Hasan Prishtina në Tropojë , ngjarje e cila organizohet në nderim të Ditës së Flamurit.
Aty u tha se heroi kombëtar, Hasan Prishtina, ishte udhërrëfyes i gjeneratave ndër vite, duke filluar nga Ukshin Hoti e deri të ish-ushtarët e UÇK-së.
Mehmet Prishtina, kryetar i fondacionit “Hasan Prishtina”, tha se u realizua një qëllim i kamotshëm që të rikthehet pranë Bajram Currrit edhe figura e kolosit shqiptar, Hasan Prishtina.
Ai tha se që të dytë Curri dhe Prishtina luftuan derisa vdiqën për të njëjtën kauzë.
“Sot është një ditë e bekuar sepse edhe moti po na përcjellë me diell sikur po na ngroh zemrat tona sepse arritëm që ta rikthejmë kolosin tonë, heroin kombëtar Hasan Prishtina, kryeministrin e tetë të Shqipërisë, një figurë e cila flet vet dhe jo rastësisht këtu krahas heroit Bajram Curri, sepse ata jetuan, luftuan dhe derisa vdiqën së bashku për të njëjtën kauzë, për qëllimin e bashkimit të kombit shqiptar. Këtu ka qenë një ëndërr e kamotshme dhe një porosi e babait tim që mos të merrem me figurën e tij sepse ishim në luftë dhe vdiq dhe siç thoshte ai ‘unë jam i pashkollë’ por i kemi figurat që peshojnë rëndë në sallën e historisë, andaj të merresh me Hasan Prishtinën”, u shpreh Prishtina.
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tropojës, Arber Çakraj, ka thënë se Hasan Prishtina përfaqësoi lëvizjet kombëtare për liri dhe pavarësi, si edhe organizoi kryengritje shqiptare.
“Hasan Prishtina është një nga ideologët kryesor të çlirimit dhe bashkimit të shqiptarëve. Vepra dhe tërë jeta e tij ka qenë të lidhura me fatin e kombit dhe atdheut. Rrugën e tij jetësore iu kishte përmbajtur motos ‘Kam mem shtrue vetëm vdekja’. Krejt ideja e tij jetësore, trimëria dhe temperamenti tipik i shqiptarit, jo vetëm luftëtar, ai përfaqësoi lëvizjet kombëtare për liri dhe pavarësi, si dhe organizoi kryengritje shqiptare”, u shpreh ai.
Ndërsa, ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, tha se asnjëherë nuk është ndjerë diplomat, por siç tha si në shtëpinë e tij.
“Në fakt unë jam rrit duke mësuar për figurën e Hasan Prishtinës dhe për gjithë ata burra e familje, por fati e deshi që të punonte e bashkëpunonte me ta në Kosovë, si përfaqësues i Shqipërisë. Jam përpjekur të isha diplomat, por kurrë nuk kam mundur të isha i tillë dhe jam ndjerë si në shtëpinë time në gjithë shqiptarinë”, tha Çejku.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, tha se Hasan Prishtina diti që t’i përfaqësonte të gjitha trojet shqiptare edhe në Parlamentin turk.
“Për Hasan Prishtinën kemi çka të flasim sepse rrugëtimi i tij ishte aq i gjatë e aq i mundimshëm sa vetë rrugëtimi i popullit shqiptar. Hasan Prishtina diti t’i përfaqësojë gjitha trojet shqiptare edhe në Parlamentin turk, ishte ideatori kryesor për të gjitha lëvizjet për bashkimin e kombit shqiptar”, tha Beqa.