Barazimi pa gola në çerekfinale të Kupës midis Elbasanit dhe Vllaznisë e lë të hapur kualifikimin për ndeshjen e kthimit. Verdheblutë bënë maksimumin e tyre për të fituar, pavarësisht se në fund i kënaqen edhe këtij rezultati të bardhë.lulajPër këtë arsye, në skuadër nuk e bëjnë dramë këtë rezultat, por do të tentojnë të fitojnë në Shkodër në ndeshjen e kthimit, edhe pse nuk do të jetë një sipërmarrje e lehtë. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, kapiteni Bruno Lulaj, pohon se Elbasani e tentoi deri në fund fitoren, por edhe barazimi në ndeshje Kupe mund të cilësohet si pozitiv.
“Një barazim ndaj Vllaznisë është një rezultat i pranueshëm, edhe pse ne tentuam që ta fitonim ndeshjen deri në fund. Ndeshjet e Kupës kanë një specifikë të veçantë, ku nuk lejohen gabimet dhe u përpoqëm njëkohësisht që të ishim edhe të kujdesshëm në prapavijë”, u shpreh fillimisht për gazetën kapiteni elbasanas, i cili pati një detyrë të vështirë këtë takim, pasi i duhej të markonte Bekim Balajn, qëllim që ia arriti me sukses.
KAMPIONATI – Në lidhje me ndeshjen e kampionatit ndaj Egnatias, mbrojtësi pohon se Elbasani do të luajë për të fituar, edhe pse përballë kanë ekipin që kryeson dhe më në formë të momentit.
“Menjëherë pas Vllaznisë do mendojmë për Egnatian, një kundërshtar që meriton respekt për atë që ka treguar dhe skuadrën që ka. Ne do të luajmë si gjithnjë për të fituar, sepse nuk duam të humbim ritmin as në kampionat. Megjithatë, t’ia lëmë gjithçka fushës”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Bruno Lulaj.