Një 18-vjeçar nga një qytet i vogël në Alicante të Spanjës shkaktoi “kaos” pasi hakeroi shumë agjenci, ministri dhe kompani të vendit, e madje fitoi edhe akses në bazën e të dhënave të NATO-s.
Siç raporton policia spanjolle në një njoftim për shtyp, 18-vjeçari që u arrestua të martën ka hakuar shërbime kompjuterike të enteve publike dhe private, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Arsimit, bazat e të dhënave ushtarake të NATO-s dhe SHBA-së, si dhe kompani të tjera ndërkombëtare.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, oficerët e policisë zbuluan më shumë se 50 llogari me kriptomonedhash të ndryshme dhe pajisje të ndryshme kompjuterike, të cilat po analizohen nga ekspertët, të cilët nuk përjashtojnë që 18-vjeçari të jetë i përfshirë edhe në krime të tjera kibernetike.
Pasi fitoi akses në bazat e të dhënave, të cilat përmbanin informacione personale për punonjësit dhe klientët, si dhe dokumente të klasifikuara, 18-vjeçari i shiste ato ose i postonte falas në forume.
Policia spanjolle nisi hetimin shkurtin e kaluar pas një ankese nga një kompani në Madrid , e cila identifikoi një postim në një forum të specializuar për rrjedhjet e të dhënave.
Sipas denoncimit, 18-vjeçari pretendonte se posedonte informacione nga kompania. Duke hetuar rastin, oficerët e policisë konstatuan se jo vetëm ishin nxjerrë të dhëna, por i gjithë sistemi i kompanisë ishte komprometuar.
Lidhur me motivet që e shtynë të realizonte hakimet, 18-vjeçari tha se e bënte “për qejf”. Sipas El Pais, ai ka pretenduar gjatë dëshmisë se hakerimi në të gjitha këto organizata ishte një “sfidë personale” për të.