Zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali ka nxjerrë sot disa shifra manipuluese me të dhëna të pavërteta mbi angazhimet në rrjete sociale.
Këtë e dëshmon eksperti i rrjeteve sociale, Diamant Bajra, i cili hedh poshtë matjet propaganduese të Mihalit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton klankosova.tv.
Sipas Bajrës, i cili njeh shumë mirë rrjedhën e funksionit në rrjetet sociale, grafiku paraqet vetëm angazhimin, por fsheh numrin e postimeve, pra duke manipuluar të vërtetën reale.
”Manipulim i të dhënave dhe e vërteta mbi angazhimet në rrjete sociale!
Sot, Dejona Mihali ka publikuar një grafikë që pretendon të tregojë angazhimin e përdoruesve në platformat sociale në faqet e kandidatëve për Kryeministër dhe në lajmet gjatë fushatës. Por kjo paraqitje është e shtrembëruar dhe e pjesshme, e para sepse paraqet vetëm të dhënat nga META si dhe ka lënë jashtë një faktor kyç: numrin e postimeve të secilit kandidat.
Ku qëndron manipulimi?
Grafiku paraqet vetëm angazhimin, por fsheh numrin e postimeve:
Grafiku i publikuar tregon vetëm angazhimin e përdoruesve, por nuk përfshin numrin e postimeve të secilit kandidat. Kjo është e rëndësishme sepse sa më shumë postime të bëjë një kandidat, aq më shumë mundësi ka për të grumbulluar angazhime (pëlqime, komente, shpërndarje).
Volumi i postimeve të Albin Kurtit ndikon drejtpërdrejt në rezultat:
Gjatë periudhës 11-27 Janar, Kurti ka publikuar një numër jashtëzakonisht të lartë postimesh, që natyrshëm ka ndikuar në totalin e angazhimeve. Po të merrej parasysh edhe numri i postimeve, raporti mes kandidatëve do të ishte krejt ndryshe.
Shembull konkret për ta kuptuar më mirë:
Nëse një kandidat poston 10 herë dhe një tjetër vetëm 5 herë, ai me më shumë postime do të ketë më shumë angazhime totale, por kjo nuk do të thotë se ka më shumë mbështetje për postim. Një analizë objektive do të përfshinte mesataren e angazhimeve për postim dhe jo vetëm shifrën totale, siç është bërë në këtë rast.
Dhe e fundit, për sa i takon investimeve në sponsorizim në META:
Vetëm dje, Vetëvendosje kishte mbi 200 fushata aktive në Meta (Facebook & Instagram) dhe shpenzoi mbi 1,000 euro në një ditë. Gjatë 30 ditëve të fundit, ka shpenzuar rreth 8,500 euro në reklama, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e angazhimeve”.