Të mërkurën, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve e ka dhënë pëlqimin përfundimtar për zbatimin e projektit për sallën koncertale ose të njohur edhe si Qendra Multikulturore në Prishtinë. Më tutje, ai tha se Komuna e Prishtinës është mbështetur me 800 mijë euro dhe se janë të gatshëm ta mbështesin prapë.
“Koha për të vepruar dhe jetësuar këtë projekt me rëndësi jetike për komunitetin artistik të kryeqytetit. Mjaft kohë është humbur”, shkroi Çeku.
Në një përgjigje për Gazetën Express, drejtori i Transformimit në komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati, tha se projekti për sallën koncertale ka stagnuar për shkak të sanksioneve të BE’së ndaj Kosovës.
“Për shkak të sanksioneve të BE-së karshi Qeverisë së Republikës së Kosovës, buxheti i zotuar në vlerë prej 20 milionë nga fondet IPA janë bllokuar dhe si rezultat projekti për sallën koncertale ka stagnuar.”
Kastrati tutje tha se komuna ka raporte të shkëlqyeshme bashkëpunimi me organizatën UNOPS, që sipas tij pas heqjes së ëve do ta organizojë ndërtimin e kësaj salle.
Ai shtoi se MKRS dhe Komuna e Prishtinës janë zotuar që do t’i sigurojnë mjetet financare dhe pret që BE të bashkëngjitet.
“Komuna e Prishtinës vazhdon të ruajë raporte të shkëlqyera bashkëpunimi me organizatën UNOPS, e cila, pas heqjes së ëve ndaj Kosovës, do të organizojë ndërtimin e Sallës Multifunksionale “Europe”. Aktualisht, e kemi të gatshem projektin dhe jemi në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm. Theksojmë se thirrja për përzgjedhjen e kompanisë ndërtuese mund të bëhet vetëm pas zgjidhjes së çështjeve që lidhen me financimin dhe heqjen e kufizimeve ekzistuese. Sipas zotimeve të bëra nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Komuna e Prishtinë, kur të sigurohen mjetet financiare, ndërtimi mund të fillojë. Ndërkohë, presim që edhe Bashkimi Evropian të bashkëngjitet në këtë projekt të rëndësishëm.”
Kastrati bëri të ditur se ka përfunduar faza e parë e renovimit me mjete vetanake në katin përdhesë dhe kanë filluar punimet në katin e dytë e më pas në të parin.
“Për sa i përket hapësirave të brendshme të objektit aktual, Komuna e Prishtinës ka përfunduar fazën e parë të renovimit me mjete vetanake, duke krijuar hapësira ekspozite në katin përdhes. Po ashtu, kanë filluar punimet në katin e dytë, të cilat do të vazhdojnë me katin e parë. Të gjitha këto punime janë realizuar nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) dhe janë miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK), me të cilat kemi bashkëpunuar në vazhdimësi”, tha Kastrati.
Kastrati tha se menaxhimi i ndërtimit të kësaj salle do të mbikëqyret nga Drejtoria e Transformimit dhe shtoi se pret që në tre muajt e ardhshëm të hapet thirrja për fazat e mëtejshme për renovimin dhe ndërtimin e saj.
“Procesi i menaxhimit të ndërtimit të Sallës Multifunksionale “Europe” do të mbikqyret nga Drejtoria e Transformimit, dhe jemi të gatshëm të japim informata të detajuara për çdo fazë të realizimit të këtij projekti madhor. Nëse sigurohen zotimet financiare të nevojshme, presim që në tre muajt e ardhshëm të hapet thirrja për fazat e mëtejshme të renovimit dhe ndërtimit”, tha Kastrati.