Shtetet e Bashkuara duan që Ukraina të mbajë zgjedhje potencialisht deri në fund të vitit, veçanërisht nëse Kievi mund të bie dakord për një armëpushim me Rusinë në muajt e ardhshëm, deklaroi zyrtari i Presidentit Donald Trump për mediat ndërkombëtare.
Keith Kellogg, i dërguari special i Trump për Ukrainën dhe Rusinë deklaroi në një intervistë se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Ukrainës, të pezulluara gjatë luftës me Rusinë “duhen bërë”.
“Shumica e kombeve demokratike kanë zgjedhje në kohën e tyre të luftës. Mendoj se është e rëndësishme që ta bëjnë këtë. Unë mendoj se është mirë për demokracinë. Kjo është bukuria e një demokracie solide, ju keni më shumë se një person potencialisht të kandidojë.” tha Kellogg.
Trump dhe Kellogg kanë theksuar të dy se janë duke punuar në një plan për të ndërmjetësuar një marrëveshje në muajt e parë të administratës së re, për t’i dhënë fund luftës së gjithanshme që shpërtheu me pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt 2022.
Ata kanë ofruar pak detaje rreth strategjisë së tyre, për t’i dhënë fund konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Plani i Trump është ende në zhvillim dhe nuk është marrë asnjë vendim politik, por Kellogg dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë kanë diskutuar ditët e fundit duke e shtyrë Ukrainën të bie dakord për zgjedhjet si pjesë e një armëpushimi fillestar me Rusinë.