Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda shprehu kënaqësinë që “publiku e vlerëson sigurinë në Shqipëri në nivele të larta gati 82%, e cila është shumë pranë mesatares së BE-së”.
Në fjalën e tij në prezantimin e anketimit për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vend dhe besimit te Policia e Shtetit, Proda u shpreh se, “Policia e Shtetit pa dyshim ka qenë dhe është në qendër të vëmendjes së qeverisë shqiptare, por veçanërisht veprimtaria jonë pasqyrohet në sytë e publikut, prandaj theksoj se vlerësimi i jashtëm i organizatës sonë është mjaft i rëndësishëm dhe njëkohësisht me një domethënie të veçantë për ne, sidomos kur ky proces realizohet në mënyrë të pavarur nga organizma kaq prestigjioze”.
“Gjatë vitit 2023-2024, Policia e Shtetit ka synuar në rritjen e parametrave të sigurisë në përgjithësi dhe ato në shkolla e komunitet në veçanti”, tha Proda.
“Sfidë më vete ka qenë menaxhimi i numrit të shtuar të turistëve në vendin tonë, pasi më parë kemi pasur të bëjmë me një sezon turistik, por tashmë jemi përballë vitit turistik, pasi gjatë gjithë vitit kemi praninë e turistëve në vendin tonë”, tha Proda.
Proda shtoi se, “65% e publikut vlerëson se Policia po bën punë të mirë ose shumë të mirë”.
Ai theksoi gjithashtu se, “nga anketimi rezulton se 64% e publikut do të ishte i gatshëm të njoftonte Policinë në rast shkelje”.
“Megjithëse ky trend është në rritje ne synojmë që edhe 34% e publikut që është hezitues për bashkëpunim të jetë pjesë e përpjekjes për rritjen e sigurisë në komunitet”, tha Proda.
Proda nënvizoi se perceptimi i korrupsionit është ulur nga 74% në vitin 2013 në 53% në vitin 2024.
“Këtu vlen të përmendet si faktor pozitiv ndikimi i rritjes së pagave për punonjësit e Policisë si dhe shumë iniciativa të qeverisë për rritjen e trajtimit financiar të tyre”, tha Proda.