Diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, sot ka ditën e fundit në krye si emisar i dialogut Kosovë-Serbi që udhëhoqi gati pesë vjet. Ai ka rrëfyer se si ishte të qëndronte në mes të tensioneve të dy fqinjëve që po synojnë të pajtohen pas një konflikti të gjatë.
“Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq kanë sfonde dhe pikëpamje shumë të ndryshme”, thotë ai.
Prandaj, thotë Lajçak, nuk ishte për t’u habitur që u bë mjaft e qartë që herët se pikëpamjet e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq se si të çohej përpara procesi i normalizimit ishin diametralisht të kundërta.
Lajçakun, po aq sa shefin e tij Josep Borrell, gjatë gjithë këtij procesi e përcollën akuzat për njëanshmëri për shkak se vijnë nga shtete që s’e njohin Kosovën shtet. Një akuzë direkte ia kishte bërë edhe kryeministri Albin Kurti.
Në ditën e tij të fundit, Lajçak vendosi t’iu përgjigjet të gjithë kritikave mbi këtë çështje. Jo pa thumbuar.
“Nuk e marr personalisht. Unë kam integritetin dhe reputacionin tim të ndërtuar përmes punës së palodhur gjatë shumë viteve. Liderët në BE, SHBA dhe më gjerë më njohin mirë gjatë gjithë karrierës sime. Prandaj, nëse unë sulmohem personalisht nga disa që sapo kanë hyrë në qeveri dhe po ndërtojnë pozitën e tyre ndërkombëtare – sulme të tilla mund të jenë më të dëmshme për ta në fund të ditës”, ka deklaruar Lajçak për Express.
Marrëveshjen e dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, Lajçak e konsideron historike. Për ngecjen në zbatim, ai tha se ka besim shumë të ulët nga palët se do të marrin atë që u është premtuar.
“Për fat të keq, besimi mes Kosovës dhe Serbisë është aq i ulët saqë askush nuk e besoi se nëse bëjnë atë që u kërkohet, do të marrin atë që u është premtuar”.
Për pikën e nxehtë të marrëveshjes, Asociacionin, Lajçak edhe në fund tentoi t’ia heqë drojën qytetarëve të Kosovës se ai do t’i ngjajë një Republika Srpska që i shkakton vazhdimisht probleme shtetit të Bosnje e Hercegovinës.
“Unë e kuptoj frikën e njerëzve, veçanërisht sepse ky argument është (keq)përdorur nga shumëkush. Për mua ishte gjithmonë e rëndësishme të propozoja diçka, e cila do të ishte e pranueshme në çdo vend tjetër europian”.
Megjithatë, Lajçak bëri me dije që qeveria e re e Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet duhet ta ketë në mendje: [Asociacioni] Si i tillë, nuk hiqet.
“Në fund të fundit, si do të duket Asociacioni përfundimisht varet tërësisht nga statuti i tij. Për mua ishte gjithmonë e rëndësishme të propozoja diçka, e cila do të ishte e pranueshme në çdo vend tjetër europian. Drafti ynë i përmbahet këtij parimi. Sidoqoftë, për ta testuar do të duhej dërgimi i Draft-Statutit Europian në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim ligjor. Gjykata do ta shqyrtonte dhe nuk do të lejonte që të vendosej nëse do të rrezikonte rendin ligjor të Kosovës”, ka deklaruar Lajçak.
Me Administratën Trump në Uashington, e cila qysh në ditët e para trazoi shumë liderë europianë me qasjen e ndërruar karshi kontinentit, mund të pritet ndryshim të qasjes edhe për procesin e pajtimit mes dy fqinjëve ballkanikë.
Në pyetjen nëse do të vazhdojë bashkëpunimi i njëjtë i Brukselit dhe Uashingtonit për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak nuk foli më shumë bindje. Por, me shpresë tha se beson që pasardhësi i tij, danezi Peter Sorensen do të jetë i suksesshëm në këtë drejtim.
“Nuk dua të spekuloj për bashkëpunim nëtë ardhmen, por besoj se edhe pasardhësi im do të vendosë marrëdhënie të mira”.
Lajçak përsëriti se nuk ka rrugë tjetër për Kosovën e Serbinë për t’u bërë anëtare të Bashkimit Europian përveç pajtimit. Prandaj, Lajçak pati një porosi për liderët në Prishtinë e Beograd.
“Qytetarët tuaj ju zgjodhën për të punuar drejt së ardhmes suaj në BE, jo për ta ndryshuar të kaluarën tuaj”.