Kur mbeten më pak se 24 orë nga mbyllja zyrtare e merkatos së dimrit, Skënderbeu është i angazhuar intensivisht në shumë fusha për të plotësuar grupin dhe për të përmbushur kërkesat e trajnerit Gjoka.SKENDERBEUNë kushtet kur Ermir Rashica do të largohet në fund të muajit shkurt, me destinacion Ukrainën, sulmi bardhekuq ka nevojë për një afrim të rëndësishëm dhe drejtuesit e klubit kanë parë disa pista. Ata kishin madje një akord paraprak me bjellorusin Sadovski, por duket se gjithçka është përmbysur në orët e fundit. Disa kërkesa nga vetë sulmuesi në fjalë kanë bërë që kjo pistë të mos ketë një fund pozitiv.
Për këtë arsye drejtuesit e Skënderbeut e kanë zhvendosur fokusin te të tjerë elementë, të cilët mund të bashkohen në limitet e merkatos me korçarët. Burime të besueshme të gazetës pranë klubit juglindor bëjnë me dije se nuk bëhet fjalë për vetëm një sulmues, por për tre futbollistë. Bisedimet me ta kanë arritur në një fazë të avancuar dhe tani shpresohet që të konkretizohen marrëveshjet mes palëve. Koha është shumë e paktë dhe ata që drejtojnë merkaton e Skënderbeut duhet të mbyllin gjithçka në kohë rekord. Të njëjtat burime bëjnë me dije se do të jenë dy mbrojtës dhe një sulmues ata që pritet ta nënshkruajnë për korçarët para se të bjerë “gongu”. Trajneri Gjoka ka pasur disa kërkesa specifike, pasi dëshiron të ketë një grup sa më kualitativ dhe konkurrues. Me tre afrimet që priten në Korçë, mendohet se do të jetë një ekip të denjë për të lënë pas krahëve periudhën e errët që e zbriti Skënderbeun në vend të fundit.
DINAMO – Pavarësisht fitores së fundit me Teutën, situata në klasifikim për Skënderbeun mbetet alarmante. Presidenti Ardjan Takaj ka vendosur së fundi të veprojë me “dorë të hekurt” dhe ka ndaluar çdo deklaratë të lojtarëve në media. Ai e ka marrë këtë vendim menjëherë pas fitores me Teutën, duke dashur që të shmangë euforinë. Në këtë situatë është vetëm trajneri Gjoka ai që mund të flasë në prag ndeshjen me Dinamon, lojtarëve u duhet të fokusohen vetëm te puna e përditshme për të “folur” vetëm në fushë. Një vendim i tillë në Korçë kishte kohë që nuk aplikohej, por duke u nisur nga pozitat në renditje dhe rëndësia e ndeshjes me Dinamon, drejtuesit e klubit e kanë konsideruar si të udhës të kalojnë në heshtje shtypi.