Kuvendi miratoi pak pas mesnatës zgjatjen e afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje, si dhe shtyrjen deri më 31 dhjetor 2026 të afatit për aplikimin për investime strategjike.
Pas 9 orëve debatit, Kuvendi hodhi në votim pr/ligjet dhe pr/vendimet e rendit të ditës, ku në sallë mungonin shumë deputetë.
Kryetares së Kuvendit iu desh të priste disa minuta përpara se të hapte prezencën. Votimi nisi në orën 00:15 minuta të 31 janarit 2025, kur në seancë zunë vendin deputetët e mazhorancës, ndërsa karriget e opozitës vijuan të ishin bosh, me përjashtim të deputetit të PD-së Bujar Leskaj, i cili për dy pr/ligje bashkoi votën me socialistët.
Kështu pr/ligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për investimet e strategjike në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 73 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim. Vota kundër ishte e Bujar Leksajt të PD-së.
Ndërsa projektligji për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, që përjashton nga tatimi mbi të ardhurat e korporatave për një periudhë 10-vjeçare, për ato struktura të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026, u miratua me 68 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim.
Kundër votoi Bujar Leskaj i PD-së, ndërsa abstenuan Erjon Braçe, Pandeli Majko dhe Petro Koçi.
Sipas këtij pr/ligji të iniciuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, të gjitha subjektet e hotelerisë, që përfitojnë statusin special brenda datës 31 dhjetor 2026, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për 10 vitet e ardhshme.
Deputeti Klosi tha se nga ky pr/ligj do të përfitojnë edhe 11 operatorë që do të bashkëpunojnë me brande ndërkombëtare, për të ndërtuar hotele me 4 – 5 yje në zonën me përparësi të zhvillimit të turizmit, pra 22 operatorë në total. Duke iu përgjigjur kritikëve nga socialistët, Braçe e Majko, të cilët e kundërshtuan pr/ligjin në Komisionin e Ligjeve, Klosi tha se përmes kësaj iniciative përjashtohen hotelet në qendrat e qyteteve dhe në Tiranë.
“Kjo lehtësi u jepet atyre operatorëve që zgjedhin të investojnë në zonën me përparësi të zhvillimit të turizmit. Në qendrat e qyteteve, përfshi Tiranën nuk jepet kjo lehtësi fiskale, pasi aty biznesi është i ngritur dhe konkurenca bën punën e vet. Vetëm në zonën për zhvillimin e turizmit përcaktuar nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit kjo lehtësi jepet për një numër të caktuar hotelesh. Që nga fillimi i kësaj iniciative janë listuar 11 kompani të cilat kanë zgjedhur të operojnë së bashku me një brend ndërkombëtar. Nuk lehtësohet investitori, një investim i 4 – 5 yjeve është në nivele shumë të lartë. Nëse do të operojë me një brend ndërkombëtar i jepet kjo lehtësi. Faktet tregojnë që ka shqiptarë e të huaj të kenë mundësi të operojnë me lehtësira fiskale’. Këtë projekt e quajtëm fuqia e 5 yjeve është e mundur që duke vendosur këto standardeve dhe të tjera kompani të menaxhojnë me këto nivele. Pra nga 11 kompani që operojnë në vazhdim me hotelet me 5 yje, 11 të tjera kanë zgjedhur të marrin një brend ndërkombëtar me 5 apo 4 yje. Kërkohet dy vjet për të kompensuar 2 vjetëshin që u dogj në periudhën e pandemisë” tha Blendi Klosi, sekretari i Përgjithshëm i PS-së”, tha ai.
Për deputeten e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, me këtë pr/ligj favorizohen oligarkët.
“Ky nuk është një shtet, ky është një klub i të privilegjuarve. Kjo nuk është një paketë për zhvillimin e Shqipërisë. Kjo është një paketë anti-Shqipëri; një paketë që favorizon oligarkët dhe e lë shumicën e shqiptarëve në varfëri; një paketë që forcon monopolin e një pakice, ndërsa shumica lufton për mbijetesë; një paketë që shkatërron konkurrencën dhe pengon shqiptarët e ndershëm të ecin përpara”, u shpreh Tabaku.
Sipas ligjit ekzistues, të gjitha subjektet e hotelerisë, që përfitonin statusin special brenda datës 31 dhjetor 2024, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për 10 vitet e ardhshme.
Por përmes projektligjit të miratuar në Kuvend ky afat të zgjatet deri në 31 dhjetor të vitit 2026. Kjo do të thotë se përjashtimin nga tatim fitimi në dhjetë vitet e ardhshme do ta përfitojnë edhe subjektet, të cilat marrin statusin special nga qeveria në dy vitet e ardhshme.
“Qëllimi i projektligjit është të përjashtojë nga tatimi mbi të ardhurat e korporatës entitetet që operojnë në struktura akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruara dhe njohur ndërkombtarisht “brand name”, përjashtojë nga tatimi mbi të ardhurat e korporative për një periudhë 10 -vjeçare, për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit. Ky projektligji synon incentivimin e sektorit të turizmit duke ulur normën tatimore ne 0% për 10 vitet e para fiskale, për strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmi”, thuhet në projektligj.
Bujar Leksaj ishte i vetmi I PD-së present në sallë kur hodhën për votim pr/ligjet dhe pr/vendimete rendit të ditës. Ai bashkoi votën për të miratuar kërkesën e qeverisë për shtesën e huasë prej 40.7 mln euro për hekurudhën Tiranë – Durrës si dhe votoi kundër dërgimit të mandatit të deputetit socialist Vullnet Sina në Kushtetuese.
Votimet e tjera
Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 27-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar, Abidjan 2021, përfshirë ndryshimet e miratuara në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Addis Ababa 2018, dhe në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Gjenevë 2019, të Bashkimit të Përbotshëm Postar”. Ky propozim u votua me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim
Miratohet Akti Normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2024. Akti normativ votua me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim
Një tjetër projektligj që do të diskutohet është projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu””. Kjo marrëveshje u miratua me 74 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim
Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë. Kjo nisëm ligjore u miratua me 74 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim
Projektligji; “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”; Kjo nisëm ligjore u miratua me 74 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr.2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-EuroMediteriane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr.59/2024, me qëllim përfshirjen e dispozitave kalimtare në ndryshimet e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane, të zbatueshme nga 1 janari 2025”. Kjo nisëm ligjore u miratua me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.