Mbretëria e Bashkuar do të heqë dorë nga pesë anije luftarake, dhjetëra helikopterë ushtarakë dhe një flotë dronësh, duke kursyer kështu 500 milionë paund (600 milionë euro) gjatë pesë viteve të ardhshme, në një moment të kërcënimeve globale. Njoftimi u bë të mërkurën nga ministri britanik i mbrojtjes, John Healey, sipas agjencisë EFE.
“Këto vendime synojnë të gjenerojnë kursime prej 150 milionë paund (180 milionë euro) gjatë dy viteve të ardhshme dhe deri në 500 milionë paund (600 milionë euro) pas pesë vitesh, dhe kursimet do të dedikohen plotësisht për mbrojtjen,” deklaroi ministri laburist gjatë një seance dëgjimore në Dhomën e Komunave (dhoma e ulët e parlamentit britanik).
Në një moment kritik për mbrojtjen europiane, me përshkallëzimin e luftës në Ukrainë dhe konfliktin latent në Lindjen e Mesme, Mbretëria e Bashkuar do të nxjerrë jashtë përdorimit deri në fund të vitit dy anije sulmi amfib, HMS Albion dhe HMS Bulwark, fregatën HMS Northumberland dhe dy anije ndihmëse për furnizimin me karburant.
Gjithashtu, do të çmontojë një flotë prej 17 helikopterësh Puma të forcave ajrore, 14 modele më të vjetra të helikopterëve ushtarakë Chinook, si dhe afro 50 dronë vëzhgimi, secili me një kosto prej 5 milionë eurosh, vetëm gjashtë vite pasi janë futur në përdorim.
Healey gjithashtu la të kuptohet se këto shkurtime të pajisjeve nuk do të jenë vendimet e fundit “të vështira” që do të duhet të marrë për të përballuar trashëgiminë e lënë nga qeveritë e mëparshme konservatore, ndërsa ekzekutivi laburist zhvillon planin e tij strategjik për shpenzimet e mbrojtjes.
Qeveria e drejtuar nga Keir Starmer ka njoftuar në buxhetin e saj të prezantuar më 30 tetor se do të alokojë 2.9 miliardë paund (3.485 miliardë euro) për mbrojtjen, për të arritur nivelin prej 2.5% të PBB-së.
Në këtë kuadër, ministri Healey siguroi se shkurtime të tilla janë “të arsyeshme” dhe theksoi se për një kohë të gjatë ushtarët, marinsat dhe pilotët kanë përdorur pajisje ushtarake “të vjetruara dhe të tejkaluara,” sepse qeveria konservatore nuk kishte guxuar të merrte vendimin për t’i nxjerrë jashtë përdorimit.