Ka përfunduar rreth mesnate verifikimi i emigrantëve, të cilët mbërritën mëngjesin e së martës në portin e Shëngjinit, nga anija e marinës italiane “Casiopea”. Pas procedurave që zgjaten rreth 13 orë u vendos që 5 prej emigrantëve të kthehen në Itali pasi rezultuan minorenë ose me probleme shëndetësore, ndërsa 44 të tjerët u dërguan në tre grupe në kampin e Gjadrit.
Transporti i tyre me autobus u bë nën masa të rrepta siguria, ku shoqëroheshin nga Policia Shqiptare dhe Karabinierët italianë.
44 emigrantët do të presin në tokën shqiptare fillimisht vendimin e Gjykatës së Romës që pritet të vendosë brenda 48 orëve për vlefshmërinë e mbajtjes së tyre në vendin tonë dhe më pas një përgjigje për kërkesën e tyre për azil. Shumica e emigrantëve ishin nga Bangladeshi, ndërsa pjesa tjetër vinin nga Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.
Ky kontingjent i tretë i emigrantëve mbërriti pas 2 muajsh pezullim të marrëveshjes Rama-Meloni për shkak të vendimeve të gjykatave në Itali që urdhëruan në dy rastet e para, dërgimin e emigrantëve në vendin fqinj.
Kjo pasi Gjykata e Romës nuk konfirmoi si të ligjshëm ndalimin e tyre për shkak se vendet e tyre të origjinës nuk ishin “të sigurt” në të gjithë territorin e tyre. Për këtë, qeveria italiane miratoi një dekret të veçantë që sipas saj u mbështet edhe nga Gjykata e Kasacionit. Megjithatë fjalën e fundit për këtë çështje do ta thotë Gjykata Europiane e Drejtësisë që pritet të shprehet në 25 Shkurt.