Anija e Marinës Ushtarake italiane “Cassiopea” me 49 emigrantë në bord, ka mbërritur në ujërat e Shëngjinit rreth orës 07:30 dhe në 08:00 u ankorua në port. Anija është nisur të premten nga ishulli Lampedusa, por për shkak të një problemi mbërritja e saj ne Shëngjin vonoi dhe ajo preku ujërat shqiptare vetëm këtë të hënë, 28 janar.
Në bordin e anijes ndodhen emigrantë të paligjshëm me kombësi nga Egjipti, Bangladeshi, Bregu i Fildisht dhe Gambia. Fillimisht emigrantët do t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit dhe kontrollit shëndetësor në qendrën pritëse të Shëngjinit. Pas këtyre proceduarave do të transferohen në kampin e Gjadrit.
“Në portin e Shëngjinit u ankorua anija e marinës italiane, me 49 emigrantë në bord, të cilët pas procedurave të verifikimit do të akomodohen në kampin e ngritur në Gjadër, Lezhë. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për sigurinë dhe për zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare”, njofton Policia e Shtetit.
Riaktivizimi i marrëveshjes Itali-Shqipëri vjen pas një pauze prej rreth dy muajsh. Ky është kontigjenti i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Shqipëri nga Ishulli i Lampeduzas në Itali. Më 16 tetor dhe 8 nëntor të vitit që shkoi ishte anija “Libra” solli në Shqipëri dy kontigjente me 24 emigrantë, kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët, pas vendimit të gjykatës italiane, u rikthyen në Itali.
Këtë herë qeveria italiane shpreson për një rezultat më të mirë. Tani ata që do të vendosin nuk do të jenë më magjistratët e seksionit të emigracionit, por ata të Gjykatës së Apelit, siç parashikon ligji i ri i kërkuar nga ekzekutivi dhe që ka hyrë në fuqi më 11 janar.