.
Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pasi u larguan nga treni në të cilin ndodheshin, nga frika e një zjarri të mundshëm, por u goditën nga një tren tjetër, raporton BBC. Zyrtarët e hekurudhave thanë se pasagjerët kishin kërcyer nga treni që kishte për destinacion Mumbain pasi dikush kishte tërhequr alarmin. Megjithatë, njerëzit u goditën nga një tren tjetër, që kalonte në një shinë ngjitur. Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse kishte ndodhur vërtet një zjarr.
India ka nisur një program me vlerë 30 miliardë dollarë për të modernizuar hekurudhat e saj gjatë viteve të fundit, por ky proces është penguar nga një sërë aksidentesh, përfshirë një aksident të madh me tre trena në vitin 2023 në shtetin Odisha, i cili shkaktoi vdekjen e afro 300 personave.
Kryeministri i shtetit Maharashtra, Devendra Fadnavis, shkroi në platformën X se ishte “thellësisht i trishtuar nga humbja tragjike e jetëve njerëzore” gjatë incidentit, i cili ndodhi rreth 400 km larg Mumbait, kryeqytetit financiar të Indisë. Ai tha se për të plagosurit u dërguan tetë autoambulanca.
Kryeministri indian Narendra Modi ka kërkuar modernizimin e hekurudhave për të nxitur ekonominë dhe lidhjen e rajoneve. Sipas Reuters, ekzistojnë plane për rritjen e buxhetit të programit muajin e ardhshëm.