Bylisi ka nisur grumbullimin dhe tashmë është fokusuar te dueli në shtëpi me Tiranën. Pas suksesit të parë në transfertë, ku fituan në fushën e vështirë të Laçit dhe me një rival direkt për mbijetesën, tashmë llogaritë bëhen ndryshe për vijimin e garës.
Në Ballsh kanë nisur prej ditës së diel përgatitjet, ndërsa skuadra ka qenë e plotë. Bylisi duket se tashmë është konsoliduar si kontingjent, ndërsa skuadra duket se ka një formacion dhe stol më solid dhe kjo është vënë re në takimet e fundit. Bylisi shkon në shtatë ndeshje pa disfatë, ndërsa synimi është fitorja edhe në duelin e shtëpisë me Tiranën. Presidenca ka kërkuar nga djemtë dhe stafi që të vijojnë “luftën”, pasi mbetet një rrugë shumë e gjatë përpara, për më tepër që në këtë periudhë po rikuperohet ecuria e fillimit të garës.
KONTINGJENTI – Skuadra nuk ka mungesa të tjera, me përjashtim të anësorit të djathtë Aurel Marku që do të mungojë edhe ndaj Tiranës, ndonëse në Laç sidomos në pjesën e dytë pati një lojë të ashpër. E megjithatë, nga ajo që është parë deri më tani në stërvitje, përgatitjet janë sipas planit të Dedes. Alternativat nuk mungojnë në linjën e djathtë e sigurisht, me formën e Mahmutit, apo afrimin e Ilieskit situata duket më optimale.