Pekini, i cili ka investuar burime të mëdha në programin e tij hapësinor për të kapur ritmin me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, synon të vendosë njerëz në Hënë deri në vitin 2030.
Kina pritet të avancojë në përpjekjet e saj për të ndërtuar bazën e parë në Hënë të premten, duke nisur një eksperiment në hapësirë për të testuar nëse tullat e stacionit mund të bëhen nga vetë dheu i Hënës.
Mostrat e tullave do të nisen me një raketë mallrash drejt stacionit hapësinor të Kinës, Tiangong, si pjesë e misionit të Pekinit për të vendosur njerëz në Hënë deri në vitin 2030 dhe për të ndërtuar një bazë të përhershme atje deri në vitin 2035.
Është një detyrë e vështirë: çdo strukturë duhet të përballojë sasi të mëdha rrezatimi kozmik, ndryshime ekstreme të temperaturës dhe tërmete hënore, dhe dërgimi i materialeve ndërtimore atje është një procedurë shumë e kushtueshme.
Ndërtimi i bazës nga vetë materiali i Hënës mund të jetë një zgjidhje për këto probleme, shpresojnë shkencëtarët nga një universitet në provincën qendrore Wuhan.
Ata kanë krijuar një seri tullash prototipe të bëra nga përbërje të ndryshme materialesh të gjetura në Tokë, si bazalti, që imitojnë vetitë e dheut hënor.
Copëza të këtyre tullave testuese do t’i nënshtrohen një serie testesh të rrepta sapo të mbërrijnë në stacionin hapësinor Tiangong.
“Është kryesisht ekspozim,” tha Zhou Cheng, profesor në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Huazhong në Wuhan.
“Për ta thjeshtuar, e vendosim materialin në hapësirë dhe e lëmë aty… për të parë nëse qëndrueshmëria e tij, performanca e tij do të degradojë nën mjedisin ekstrem.”
Temperatura në Hënë mund të ndryshojë në mënyrë drastike midis 180 dhe -190 gradë Celsius (356 deri -310 gradë Fahrenheit).
Mungesa e një atmosfere do të thotë se ajo i nënshtrohet sasi të mëdha të rrezatimit kozmik, si dhe mikrometeorëve, ndërsa tërmetet hënore mund të dobësojnë çdo strukturë në sipërfaqen e saj.
Eksperimenti i ekspozimit do të zgjasë tre vjet, me mostrat që do të dërgohen mbrapa për testim çdo vit.
‘Shanse të mira për sukses’
Ekipi i Zhou zhvilloi tullat e tyre prototipe pas analizimit të dheut të sjellë nga sonda kineze Chang’e-5, misioni i parë në katër dekada për të mbledhur mostra nga Hëna.
Tullat e zeza të rezultuara janë tre herë më të forta se tullat standarde, tha ai, dhe bashkohen pa nevojën e një agjenti lidhës.
Ekipi ka punuar gjithashtu në “Merimangën Hënore”, një robot që printon 3D për të ndërtuar struktura në hapësirë, disa prej të cilave janë në formë konike.
“Në të ardhmen, plani ynë është padyshim të përdorim burimet në vend, domethënë, të bëjmë tulla direkt nga dheu hënor, dhe më pas të realizojmë skenarë të ndryshëm ndërtimi, kështu që nuk do të marrim materialet nga Toka,” tha Zhou.
“Është diçka e dukshme për t’u provuar,” sepse përdorimi i materialeve që janë tashmë në Hënë do të ishte shumë më i lirë, tha Jacco van Loon, një astrofizikan në Universitetin Keele në Britani.
“Ekzperimentet kanë shanse të mira për sukses, dhe rezultatet do të hapin rrugën për ndërtimin e bazave hënore,” tha ai për AFP.
Tulla Lego
Pekini nuk është i vetmi që synon të ndërtojë bazën e parë në Hënë.
Stacioni i planifikuar e Kinës në Hënë, e njohur si Stacioni Ndërkombëtar i Kërkimeve Hënore (ILRS), është një projekt i përbashkët me Rusinë.
Një duzinë vendesh—përfshirë Tajlandën, Pakistanin, Venezuelën dhe Senegalin—janë partnerë në iniciativë, si dhe rreth 40 organizata të huaja, sipas mediave shtetërore kineze.
Shtetet e Bashkuara synojnë të rikthejnë njerëzit në Hënë në vitin 2026 dhe më pas të vendosin një stacion atje, megjithëse programi i tyre Artemis tashmë ka parë vonesa të ndryshme.
Si pjesë e përgatitjeve të SHBA-së, studiuesit në Universitetin e Floridës Qendrore po testojnë tulla të mundshme të ndërtuara me printera 3D.
Ndërkohë, Agjencia Hapësinore Europiane ka kryer studime mbi mënyrën se si të asamblonë tulla të bazuara në strukturën e Lego.