Ngjarja më e madhe e librit, Panairi i 27-të “Tirana 2024”, u hap sot, duke sjellë në qendër të vëmendjes autorë, botues dhe dashamirës të librit.
Në ceremoninë e hapjes, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e librit në edukimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
“Panairi i Librit është një platformë diskutimi dhe ndarjeje idesh. Ai bashkon autorë, botues dhe mbi të gjitha të rinj e studentë për të nxitur dashurinë për librin, duke reflektuar identitetin tonë kulturor dhe historik,” tha Ministrja Ogerta Manastirliu.
Në fjalën e saj, Ministrja u ndal te bashkëpunimi me Shoqatën e Botuesve për pasurimin e bibliotekave shkollore, një iniciativë që financohet çdo vit për të nxitur dashurinë për leximin.
“Me Shoqatën e Botuesve ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë për pasurimin e bibliotekave shkollore, një nismë që financohet çdo vit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për të zgjuar dashurinë për librin,” tha Manastirliu.
Gjithashtu, Ministrja u ndal dhe te puna që po bëhet për rishikimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore, duke synuar përputhjen me standardet europiane.
“Kemi nisma shumë të rëndësishme edhe për rishikimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore. Duam të ofrojmë kompetenca europiane nëpërmjet një rruge bashkëpunimi me botuesit dhe autorët. Do të nisim një tjetër rrugëtim për përmirësimin e teksteve, duke filluar nga teksti i gjuhës shqipe,” shtoi ajo.
Në kuadër të promovimit të gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore, Ministrja bëri të ditur se do të organizohet një aktivitet i rëndësishëm, Kuvendi i Gjuhës Shqipe. Panairi u cilësua nga Ministrja si një prelud i Kuvendit të Gjuhës Shqipe, që do të zhvillohet më 21-22 nëntor. Ky kuvend do të mbledhë akademikë, mësues dhe përfaqësues të diasporës për të diskutuar mbi ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe.
“Me datat 21-22 nëntor, do të zhvillohet Kuvendi i Gjuhës Shqipe, një platformë aktive ku do të mblidhen mësues të gjuhës shqipe, personalitete akademike, pedagogë dhe përfaqësues të mësuesve nga diaspora për të diskutuar mbi ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe,” deklaroi Manastirliu.
Panairi i Librit “Tirana 2024” do të vijojë për disa ditë, me aktivitete të larmishme dedikuar librit shqip, autorëve dhe lexuesit shqiptar, duke e kthyer Tiranën në një qendër të mendimit dhe krijimtarisë letrare.
©2024 All Right Reserved. I dizajnuar dhe i zhvilluar nga Gazetacenzure.com