Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i është drejtuar sërish drejtpërdrejt popullit iranian në një video-mesazh, ku deklaroi se udhëheqësia e vendit të tyre po shpenzon para për sulme kundër Izraelit që mund të investoheshin në të ardhmen e popullit iranian, raporton dpa.
Një tjetër sulm iranian do t’i kushtonte vendit miliarda dollarë dhe do të dëmtonte rëndë ekonominë, transmetoi kryeministri izraelit në një video-mesazh të publikuar të martën.
“E di që ju nuk e dëshironi këtë luftë. As unë nuk e dua. Populli i Izraelit nuk e dëshiron këtë luftë. Ekziston vetëm një forcë që po i vë familjet tuaja në rrezik të madh. Tirania në Teheran. Vetëm ajo,” deklaroi Netanyahu, duke iu referuar regjimit të liderit suprem Ali Khamenei.
Në vend që të investojë 2.3 miliardë dollarë – shuma e shpenzuar për sulmin e fundit iranian në fillim të tetorit – në spitale, infrastrukturën e vendit, ujë të pastër apo arsim për popullin e tij, Netanyahu deklaroi se Teherani po i shpenzon këto para në një luftë që nuk mund ta fitojë.
Sa ka paguar Izraeli për sulmin e tij ndaj Iranit, nuk u bë e ditur nga Netanyahu, vëren dpa.
Regjimi iranian është i fiksuar “pas shkatërrimit të Izraelit, në vend që të ndërtojë Iranin,” vazhdoi kryeministri izraelit, duke shtuar: “Sa mëkat.”
Netanyahu vlerësoi se regjimi iranian po dobësohet çdo ditë e më shumë, ndërsa Izraeli po bëhet çdo ditë e më i fortë.
Ekziston një gjë që regjimi në Teheran e frikësohet më shumë sesa Izraelin, dhe ajo është populli i Iranit, vazhdoi ai. “Për këtë arsye ata shpenzojnë kaq shumë kohë dhe para për të shtypur shpresat tuaja dhe për të ndaluar ëndrrat tuaja.”
Netanyahu i nxiti iranianët të mos heqin dorë nga shpresat e tyre për liri dhe barazi: “Dhe dijeni që Izraeli dhe të tjerët në botën e lirë janë me ju.”
“Nuk kam asnjë dyshim se një ditë, në një Iran të lirë, izraelitët dhe iranianët do të ndërtojnë së bashku një të ardhme prosperiteti dhe paqeje,” tha Netanyahu. “Ky është i ardhmi që meriton Izraeli; ky është i ardhmi që meriton Irani. Së bashku, le ta shndërrojmë këtë ëndërr të bukur në realitet,” ftoi kryeministri izraelit.
Netanyahu iu drejtua drejtpërdrejt popullit iranian edhe në një fjalim në fund të shtatorit.