Që nga gushti dy sulmuesit kanë shënuar dhjetë nga njëmbëdhjetë golat e Lillet në Ligën e Kampionëve. Të martën Lille barazoi 1:1 ndaj Juventusit të Torinos, falë golit të Davidit me asistim të Zhegrovës.
(Le Monde) – Njëri është kanadez dhe tjetri kosovar – dy shtete modeste të futbollit – gjë që nuk i pengon ata të bartin barrën kryesore te skuadra e Lillet në Ligën e Kampionëve. I pari, Jonathan David, është golashënues modern, nga ata që vrapojnë shpejt dhe shënojnë shumë. I dyti, Edon Zhegrova, një lojtar që kalon mbrojtësit ku të dojë.
Dyshja e Lillet shkëlqeu sërish të martën, më 5 nëntor, gjatë barazimit të veriorëve kundër Juventusit të Torinos (1:1), kundërshtari i tretë nga katër ndeshjet e deritashme të Ligës së Kampionëve. Falë tyre, Lille doli i pamposhtur nga Real Madridi, Atletico Madridi dhe Juventusi.
Pak para përfundimit të 30-minutëshit të parë, Edon Zhegrova dribloi kolumbianin Juan Cabal, përpara se të jepte një pasim mjeshtëror në thellësi Jonathan Davidit. Sulmuesi i shpejtë u nis drejt portës dhe me gjakftohtësi shënoi golin e parë të ndeshjes.
Dyshja ka shënuar dhjetë nga njëmbëdhjetë golat e Lillet në Champions
Dy javë më parë dy lojtarët kanë qenë arkitektët kryesorë në suksesin kundër Atletico Madridit. Me hyrjën në lojë, Edon Zhegrova barazoi rezultatin me supergol para se Jonathan David të shënonte dy gola në fitoren 3:1. Në ndeshjen e dytë kundër Real Madridit, Zhegrova siguroi penalltinë prej të cilës u shënua goli i fitores nga David. Rezultatet e fundit bënë që Lille ta harrojë humbjen 2:0 nga Sportingu në Lisbonë.
Pa dy lojtarët Lille mbase nuk do të arrinte të përfshihej në këtë grup unik prej 36 skuadrash, një risi e edicionit aktual të garës prestigjioze evropiane. Gjatë raundit kualifikues dhe plejofit këtë verë, kundër Fenerbahçes dhe Slavia Pragës, dyshja shënoi pesë nga gjashtë golat e ekipit të tyre, me kanadezin i cili shtoi dy asistime. Qëkur Lille filloi kampionatin evropian më 8 gusht, vetëm një nga golat e tyre nuk është shënuar nga Zhegrova dhe David.
Dy të fortët e Bruno Genesios
Dy të fortët e skuadrës së Bruno Genesio mund të ishin larguar nga veriu i Francës gjatë afatit kalimtar të verës. David kishte një bindje se mund të synonte një klub të madh kontinental, gjashtë vjet pas mbërritjes së tij në Evropë dhe pas katër sezonesh në Lille, ku shënoi pothuajse njëqind gola. Në fund të fundit, asnjë ofertë konkrete nuk erdhi për talentin 24-vjeçar në adresë të Lillet.