Sot mbushen katër vjet që kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi janë dërguar në paraburgim në Hagë.
Deputetët shprehin optimizëm se Gjykata Speciale do t’i shpallë ata të pafajshëm.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka deklaruar se beson në drejtësinë dhe se katër krerët e UÇK-së do të dalin nga kjo gjykatë të pafajshëm.
Sipas tij, lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, luftë çlirimtare, dhe jo një luftë okupues në drejtim të Serbisë.
“Ne besojmë dhe shpresojmë që do të dalin të pafajshëm, lufta e UÇK-së ka qenë lufta çlirimtare dhe më e pastër e një ushtrie vullnetare dhe çlirimtare, prandaj ne besojmë thellë që lufta e UÇK-së që do të dëshmohet që ka qenë e pastër dhe është e pastër në realitet ne mendojmë që edhe krerët e UÇK-së që po përballen me këtë proces gjyqësor më në fund do të dalin të pafajshëm dhe do ta fitojnë lirinë e tyre e cila e tashmë po bëhet katër vite, një periudhë mjaftë e gjatë kohore e cila sigurisht i godet ata edhe familjet e tyre. Ne besojmë në drejtësi dhe duhet të besojmë gjithmonë në të, prandaj shpresojmë që do të dalin të pafajshëm”, ka thënë Dugolli për EO.
Tutje, Dugolli ka theksuar se krahas pretendimeve për krime lufte nga UÇK-ja, duhet të hapet akuzë për krime të Serbisë ndaj Kosovës.
“Nëse e krahasojmë akuzën apo pretendimet e akuzës për të cilat ata veçse po mbahet atje dhe bëjmë një analizë se çka është ndërmarrë deri tani ndaj krimeve që ka ushtruar Serbia ndaj shqiptarëve, ndaj popullatës civile ndaj njerëzve të pafajshëm dhe bëjmë një krahasim se çka është bërë për të hedhur dritë në errësirë. Del që bilanci është tejet negativ ndaj shqiptarëve për shkak se shqiptarët kanë bërë luftë çlirimtare dhe nuk kanë bërë luftë okupuese dhe në këtë drejtim mund të them se drejtësia ka çaluar dhe po çalon. Sepse nëse do të duhej të hapet një hetim apo një akuzë të bëjnë ndaj shqiptarëve më së paku 10 do të duhej që të bëhet kundër Serbisë, të cilët kanë ushtruar terror dhe gjenocid ndaj popullatës civile. Besoj shumë në drejtësi dhe do të triumfoj do të lirohen dhe do të shpallen të pafajshëm”, ka theksuar ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha për Ekonomia Online, ka deklaruar se beson se drejtësia është në favorin e UÇK-së.
Berisha ka thënë se që nga fillimi i kësaj gjykate nuk ka pasur bazë për ngritje të aktakuzave.