Deputetja Kemi Badenoch u zgjodh të shtunën udhëheqëse e Partisë Konservatore në Britaninë e Madhe. Badenoch, e cila më parë ka mbajtur postin e sekretarit për çështjet e biznesit, u shpall fituese në një ngjarje në qendër të Londrës, duke e mposhtur rivalin e saj, Robert Jenrick, me 53.806 vota kundrejt 41.388, njofton agjencia e lajmeve dpa.
Në moshën 44-vjeçare, Badenoch, anëtare e Parlamentit nga qarku North West Essex, do ta zëvendësojë Rishi Sunak-un, i cili vendosi të japë dorëheqje nga drejtimi i partisë pas humbjes së rëndë që pësuan konservatorët në zgjedhjet e përgjithshme britanike në korrik.
Kemi Badenoch, e cila shprehet se thotë gjërat siç janë, do të sjellë një qasje të ashpër të djathtë në rolin e lideres së Partisë Konservatore të Britanisë, duke premtuar një kthim te “konservatorizmi autentik” për të rindërtuar një parti që përballet me një betejë të vështirë për të rikthyer pushtetin, sipas Reuters.
Si gruaja e parë me ngjyrë që bëhet udhëheqëse e një partie të rëndësishme politike në Britani, Badenoch me siguri do të jetë një sfidë për konservatorët që kanë pësuar humbjen më të madhe zgjedhore në korrik nën drejtimin e ish-liderit dhe kryeministrit, Rishi Sunak.
Në objektivin e saj nuk është vetëm qeveria e majtë laburiste, por edhe partia populiste e djathtë Reform UK, e udhëhequr nga aktivisti veteran për Brexit, Nigel Farage, thirrja e të cilit ka tërhequr votuesit tradicionalë konservatorë për çështjen e tij në zgjedhjet e korrikut.
Megjithatë, kursi i parashikuar drejt së djathtës nën drejtimin e Badenoch mund të largojë krahun më të moderuar të partisë dhe disa votues që janë joshur nga liberal-demokratët e qendrës në zgjedhjet e fituara fuqishëm nga laburistët.
“Kështu që, ja çfarë do të bëjmë. Do të rishkruajmë rregullat e lojës”, deklaroi ajo në konferencën vjetore të Partisë Konservatore në qytetin e Birmingham-it, në fillim të këtij viti. “Disa njerëz thonë se më pëlqen përplasja. Nuk mund të imagjinoj nga e kanë marrë këtë ide. Por nuk është e vërtetë, nuk më pëlqen përplasja, por as nuk kam frikë nga përplasja”, tha ajo, duke premtuar të luftojë kundër “devijimeve të së majtës” dhe në mbrojtje të idealeve konservatore.
Ajo ia atribuon babait të saj, një mjek që ndërroi jetë në vitin 2022, meritën për t’i mësuar asaj që të mos ketë “frikë të bëjë atë që është e drejtë, pavarësisht se çfarë thonë njerëzit”.
Aktori i njohur skocez David Tennant deklaroi në qershor se do të dëshironte që ajo të “mbyllte gojën” dhe shprehu dëshirën që Badenoch “të mos ekzistonte më” për shkak të pikëpamjeve të saj mbi të drejtat e personave transgjinorë dhe të grave.
“Nuk do të mbyll gojën”, u përgjigj Badenoch në platformën X, duke e quajtur Tennant-in “një burrë të bardhë të famshëm, të pasur dhe të majtë të verbuar nga ideologjia” që nuk mund të shihte perspektivën e sulmit ndaj gruas së vetme me ngjyrë në qeveri.
Ajo u përball gjithashtu me një reagim të ashpër kur deklaroi se 5-10% e nëpunësve publikë ose zyrtarëve apolitikë që punojnë në qeveri janë “shumë të këqij” dhe “duhet të jenë në burg” sepse kanë minuar ministrat – një koment për të cilin ekipi i saj tha se ishte një shaka.
Deklaratat e saj se pagesa për lejen e lindjes është “e tepërt” dhe se njerëzit duhet të tregojnë “më shumë përgjegjësi personale” gjithashtu ngritën pikëpyetje, por edhe këtë herë Badenoch mbrojti se deklaratat e saj ishin keqinterpretuar.
Nga fëmijëria në Nigeri deri në krye të Partisë Konservatore
E lindur më 2 janar 1980 në lagjen Wimbledon të Londrës dhe e rritur në Nigeri deri në moshën 16-vjeçare, Badenoch ka deklaruar se të rritesh në një vend ku “frika ishte gjithnjë e pranishme” e bëri atë të vlerësonte sigurinë në Britaninë e Madhe dhe të bëhej një mbrojtëse e vërtetë e parimeve konservatore si “liria e shprehjes, ndërmarrja e lirë dhe tregjet e lira”.
Olukemi Olufunto Adegoke, emri i saj i plotë, i shtuar Badenoch pas martesës, është vajza e prindërve të pasur nigerianë të klasës së mesme. Babai ishte një mjek shumë i njohur në vendin e tij, ndërsa nëna e saj ishte lektore në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Lagos-it, shkruan EFE.
Në adoleshencë, Kemi Badenoch u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar për të përfunduar studimet e mesme, dhe më pas hyri në Universitetin e Sussex-it, ku studioi inxhinieri dhe informatikë.
Badenoch punoi pjesërisht në një restorant McDonald’s në Wimbledon, ku pastronte tualete dhe gatuante hamburgerë, siç ka treguar ajo vetë për rininë e saj.
Nënë e tre fëmijëve, ajo është martuar që nga viti 2012 me bankierin Hamish Badenoch, i cili ka punuar në Malavi, Nigeri dhe Kenia përpara se të punonte për Barclays dhe më pas për Deutsche Bank.
Ndërmjet viteve 2015 dhe 2017, ajo ishte anëtare e Asamblesë së Londrës. Që nga viti 2017 është deputete për qarkun North West Essex, në juglindje të Anglisë, me mbiemrin e martesës, Badenoch.
E njohur për opinionet e saj të forta dhe si përfaqësuese e krahut më të djathtë të partisë së saj, Badenoch ka si heroinë politike ish-kryeministren Margaret Thatcher.
Badenoch ka mbajtur disa funksione ministrore gjatë mandateve të ish-kryeministrave konservatorë Boris Johnson, Liz Truss dhe Rishi Sunak, i cili i ofroi postin e sekretarit për çështjet e biznesit.
Më parë, ajo kishte tentuar pa sukses të fitonte drejtimin e partisë në vitin 2022, pas dorëheqjes së Boris Johnson-it, por nuk arriti të kalonte votimin e brendshëm të partisë.
Kur kandidoi përsëri për drejtimin e partisë në vitin 2024, Badenoch, e cila është pro-Brexit, theksoi se partia e saj duhet “të mos veprojë si laburistët” për të rimarrë pushtetin.
Në kongresin e fundit të partisë së saj të zhvilluar në Birmingham, në qendër të Anglisë, ajo deklaroi se është e rëndësishme të mbrojë “arsyen e shëndoshë” që gjithmonë e ka karakterizuar partinë e saj, të cilën e përshkroi si partinë politike më të suksesshme në historinë e partive politike në botë.