Shkencëtarët izraelitë kanë identifikuar grerëzën orientale si kafshën e parë që është e aftë të konsumojë sasi të mëdha alkooli pa përjetuar efektet negative që shumica e specieve, përfshirë njerëzit, zakonisht ndiejnë, raporton agjencia TPS.
Studimi i mënyrës sesi këto insekte metabolizojnë alkoolin mund të ofrojë perspektiva të reja për trajtimin e çrregullimeve të lidhura me konsumin e kësaj substance dhe mund të çojë në aplikime të reja mjekësore për detoksifikim.
Kërkuesit nga Universiteti i Tel Avivit, të udhëhequr nga dr. Sofia Bouchebti nga laboratori i profesor Eran Levin, kanë zbuluar se këto grerëza kanë një sistem të veçantë tretës, i cili natyrshëm përmban maja që u lejon atyre të shpërbëjnë alkoolin në mënyrë efikase.
Zbulimet e ekipit janë publikuar së fundmi në revistën shkencore *Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS)*.
“Duke shënuar alkoolin me një izotop të rëndë të karbonit, ne mundëm të ndjekim shpërbërjen e tij dhe mbetëm të mahnitur nga shpejtësia me të cilën këto grerëza metabolizonin alkoolin,” shpjegoi Bouchebti.
Kjo aftësi duket se ka origjinën në strukturën gjenetike të grerëzave. Analizat treguan disa kopje të një gjeni përgjegjës për prodhimin e një enzime që metabolizon alkoolin.
Në praktikë, kjo do të thotë se, ndërsa njerëzit dhe shumica e kafshëve vuajnë nga dehja pas një konsumimi të vazhdueshëm, grerëzat orientale nuk treguan ndryshime në sjellje apo efekte negative për shëndetin, edhe kur u ushqyen vetëm me alkool në përqendrime deri në 80%.
Për më tepër, studimi nuk gjeti asnjë ndryshim në jetëgjatësinë apo gjendjen shëndetësore midis grerëzave që ushqeheshin me alkool dhe atyre që konsumonin ujë me sheqer, duke nënvizuar rezistencën e tyre ndaj efekteve negative të alkoolit.
“Sipas dijenive tona, grerëzat orientale janë kafsha e vetme në natyrë e përshtatur për të konsumuar alkoolin si lëndë djegëse metabolike,” tha Levin.
Alkooli prodhohet natyrshëm kur sheqernat fermentohen në praninë e majave dhe baktereve, dhe është i zakonshëm në frutat e tejpjekura dhe nektar. Megjithëse është një substancë e pasur me energji, ai është toksik për shumicën e kafshëve, përfshirë njerëzit, veçanërisht kur konsumohet shpesh. Disa specie, si mizat e uthullës, shfaqin dehje nga alkooli edhe në përqendrime të ulëta. Në mënyrë të ngjashme, gjitarët e rendit Scandentia, të hasur në Azinë Lindore, tregojnë simptoma të alkoolizmit, si mëlçia yndyrore, pas konsumimit të vazhdueshëm të alkoolit, në doza të vogla.
Tek njerëzit, konsumimi kronik i alkoolit shoqërohet me probleme sjellore, njohëse dhe fizike dhe me një sërë sëmundjesh.
Studiuesit shpresojnë që këto zbulime për grerëzën orientale mund të hapin rrugën për metoda të reja të metabolizimit të alkoolit, trajtimit të varësisë dhe çrregullimeve të lidhura me të.
“Ndërsa kërkimi për alkoolin është shumë i avancuar, me 5.3% të vdekjeve në botë të lidhura me konsumin e alkoolit, ne besojmë se, pas studimit tonë, grerëzat orientale mund të përdoren për të zhvilluar modele të reja për studimin e alkoolizmit dhe metabolizimit të alkoolit,” deklaroi Levin.