Prokuroria e Gjeorgjisë njoftoi të mërkurën hapjen e një hetimi për “dyshime mbi falsifikimin” e zgjedhjeve parlamentare, duke thirrur për dëshmi presidenten pro-perëndimore të vendit, Salome Zurabishvili, për të dhënë mbi akuzat e saj për mashtrim kundër partisë qeverisëse, e shpallur fituese e zgjedhjeve, sipas AFP.
Ky njoftim vjen katër ditë pas zgjedhjeve parlamentare në këtë ish-republikë sovjetike në Kaukazin e Jugut, të cilat opozita i konsideron të shoqëruara me “parregullsi”.
Sipas rezultateve zyrtare, partia *Ëndrra Gjeorgjiane*, në pushtet që nga viti 2012 dhe e akuzuar nga kundërshtarët për devijim autoritar prorus, e shpalli fitoren në zgjedhje.
“Prokuroria e Gjeorgjisë ka hapur një hetim mbi dyshimet për falsifikim të zgjedhjeve parlamentare”, thuhet në një deklaratë, duke sqaruar se presidentja pro-evropiane, Salome Zurabishvili, e cila nuk pajtohet me qeverinë dhe është kritike e rezultateve të zgjedhjeve, është “thirrur” për një seancë dëgjimore të enjten lidhur me këtë çështje.
“Është e mundur” që kreu i shtetit “të ketë prova mbi falsifikimin e mundshëm të zgjedhjeve”, vazhdon deklarata e prokurorisë.
Si pasojë e akuzave për mashtrim, është urdhëruar një rinumërim i pjesshëm i votave në 14% të qendrave të votimit. Ky proces është në vazhdim që nga e marta, por rezultatet ende nuk janë bërë të ditura.
Bashkimi Evropian, SHBA dhe vëzhguesit ndërkombëtarë gjithashtu kanë shprehur dyshime mbi zhvillimin korrekt të zgjedhjeve.
Në ditët e fundit, Brukseli dhe Uashingtoni kanë kërkuar në mënyrë të qartë nga Tbilisi të hapë hetime për këto akuza për “parregullsi të mëdha”.
Opozita, e kryesuar nga presidentja Salome Zurabishvili, ka denoncuar që nga e shtuna mbrëma se zgjedhjet janë “vjedhur” dhe refuzon të njohë rezultatet e shpallura nga Komisioni Zgjedhor.
Në një intervistë të dhënë të hënën mbrëma për AFP, presidentja e Gjeorgjisë deklaroi se një sistem “sofistikuar” mashtrimi me një “metodologji ruse” i kishte lejuar Ëndrrës Gjeorgjiane të fitonte, veçanërisht përmes “blerjes së votave” dhe “presioneve” ndaj votuesve.
Kremlini ka hedhur poshtë “akuzat e pabaza” dhe çdo lloj ndërhyrjeje të Rusisë në procesin zgjedhor në Gjeorgji.
Një zë ndryshe brenda Bashkimit Evropian, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i afërt me Vladimir Putin, përgëzoi Ëndrrën Gjeorgjiane për fitoren në zgjedhje, të cilat i quajti “të lira dhe demokratike” gjatë një vizite të kryer të hënën dhe të martën në Tbilisi.
Ky mbështetje e fortë ka acaruar Brukselin duke qenë se Hungaria mban aktualisht presidencën gjashtëmujore, me rotacion, të Këshillit të BE-së.
*Ëndrra Gjeorgjiane* akuzohet nga kundërshtarët e saj se po e drejton vendin drejt Moskës dhe po e largon nga objektivi, i parashikuar në Kushtetutë, për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO.