Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot zyrtarisht do ta pranojë Raportin e Progresit.
Këtë e ka bërë të ditur vet ai gjatë një konference të mbajtur dje, duke thënë se është shumë voluminoz dhe sipas tij, qysh në ditën e parë, për thekset kryesore do të mund të diskutohet e shqyrtohet.
“Për çështjen e integrimit evropian, raporteve me Bashkimin Evropian, nesër do ta pranojë edhe zyrtarisht Raportin e Progresit për vendin tonë dhe do të mundemi që t’ju drejtohemi lidhur me të gjitha gjërat të cilat thuhen e shkruhen e aludohen aty, sepse është shumë voluminoz, por besoj që qysh në ditën e parë, për thekset kryesore do të mund të diskutojmë e t’i shqyrtojmë ato”, është shprehur Kurti.
Siç raportoi gjatë javës Radio Evropa e Lirë, Komisioni Evropian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që, pa vonesa, të ndërmarrin hapa në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të obligimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut.
Të dyja palët rikujtohen se rrugëtimi i tyre drejt BE-së është i kushtëzuar me procesin e normalizimit të raporteve mes tyre, që tash është edhe formalisht obligim për të dyja vendet.
Në draftin e raporteve thuhet se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por nga to kërkohet që të demonstrojnë më seriozisht dhe në mënyrë më konstruktive përkushtim për të ecur përpara.
Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që t’i evitojnë veprimet dhe retorikën nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin.
Si pengesë në procesin e normalizimit përmendet mungesa e hapave nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, por edhe mungesa e hapave konkretë nga Kosova për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Procesi i normalizimit [të marrëdhënieve] vazhdon të ndikohet nga mungesa e hapave të mjaftueshëm nga ana e Serbisë për të siguruar përgjegjësi dhe për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet e dhunshme nga serbët e armatosur të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë, që ishin përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit”, thuhet në këtë draft-dokument.