24
Largimet nga puna në SHA EMV po bëhen me tendencë, me të vetmen arsye pse janë shqiptarë – thonë nga BDI Dega e Çairit, duke pohuar se partneri strategjik i VMRO-së në këtë qeveri, koalicioni VLEN po hesht.
Sipas BDI-Dega Çair, ky rast do të trajtohet nga profesionistë juridik kurse do të inicohen edhe procedura ligjore kundër përgjegjësve.
“Të punësuarit e larguar, paraprakisht nuk kanë qenë të informuar për shkelje të rregullores së punës, nuk kanë qenë të ngarkuar me masa disciplinore dhe nuk kanë qenë te njoftuar se janë çlajmëruar në Agjensinë për Punësim dhe pa asnjë arsye të qëndrueshme, përmes një letre të dërguar me postë njoftohen për largimin nga puna. Andaj, Komisioni i përbërë nga profesionistë të lëmisë juridike me përkushtim dhe në mënyrë të përpiktë do të trajtojë çdo rast dhe çdo të punësuar që iu është bërë padrejtësia, ndërsa për drejtorin e institucionit do të pësoje aktakuzë penale për shkelje të ligjit dhe mosrespektimin e procedurave ligjore” – thonë nga BDI Çair.
Sqarim për largimin nga puna të këtyre nëpunësve kishte dhënë dit më parë edhe SH.A EMV nga ku deklaruan se gjatë periudhës së kaluar tek disa punonjës të caktuar është konstatuar shkelje e rendit të punës dhe disiplinës dhe mungesa të paarsyeshme që ka ndikuar negativisht në proceset e punës.
“Pas konstatimit të situatës faktike, është miratuar vendimi për ndërprerje të marrëdhënies së punës për disa të punësuar për të cilët në periudhën e kaluar janë konstatuar shkelje të rendit të punës dhe disiplinës. Çdo punonjës ka të drejtë në mbrojtje juridike konform rregullës positive ligjore” – thuhet në reagim e EMV-së.
Vatan Kiki, Senad Selami, Rijad Jetishi, Kadri Rushiti, Florim Zekiri, Hamza Ismaili, Afet Avdiu, Arben Emrovski, dhe Fisnik Ajdini, sic njofton BDI-Çair, janë vetëm disa nga nëpunësit e larguar nga ky institucion.
Rikujtojmë se në kohën kur drejtor në këtë insitucion ishte Bujar Dardhishta përfaqësimi i shqiptarëve ka qenë rreth 30%.
Nga gjithsej 174 të punësuar në EMV, 41 kanë qenë shqiptarë. Me largimin e fundit nga puna të shqiptarëve, përfaqësimi bie nën 23%