Norvegjia do ta rrisë kufizimin e moshës në 15 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale, pasi qeveria ka zgjeruar fushatën kundër kompanive të teknologjisë që thotë se po ndikojnë te fëmijët e vegjël, raporton “The Guardian”.
Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, pranoi se do të ishte “betejë e vështirë”, por ka thënë se politikanët duhet të ndërhyjnë për të mbrojtur fëmijët nga “fuqia e algoritmeve”.
Platformat e rrjeteve sociale, shtoi lideri laburist, po keqpërdoreshin nga industria dhe po i bëjnë njerëzit të ndihen vetëm dhe të mbyllur.
Vendi skandinav tashmë ka kufi minimal moshe për përdorimin e rrjeteve sociale prej 13 vjeç. Pavarësisht kësaj, më shumë se gjysma e nëntëvjeçarëve, 58 për qind e 10-vjeçarëve dhe 72 për qind e 11-vjeçarëve janë në rrjetet sociale, sipas një studimi nga autoriteti norvegjez i medias.
Qeveria është zotuar të prezantojë më shumë masa mbrojtëse për të parandaluar fëmijët të thyejnë rregullat – duke përfshirë ndryshimin e Aktit të të Dhënave Personale në mënyrë që përdoruesit e rrjeteve sociale duhet të jenë 15 vjeç për të hapur llogari.
“Kjo dërgon sinjal mjaft të fortë”, ka thënë kryeministri për gazetën VG të mërkurën. “Fëmijët duhet të mbrohen nga përmbajtja e dëmshme në rrjetet sociale. Këta janë gjigantë të mëdhenj të teknologjisë që po ndikojnë në trurin e fëmijëve të vegjël. Ne e dimë që kjo është betejë e vështirë, sepse ka forca të forta, por këtu duhet edhe politika”.