Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media ka folur për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel teknik, i cili është caktuar për nesër.
Ai tha se në agjendë, si edhe më parë, është nevoja për qasje urgjente ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që të dyja palët përfundimisht të pajtohen për procesin, për përparimin në dialog, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Në çfarë formatesh dhe si do të vazhdojmë nesër, ne gjithmonë përpiqemi të mbajmë koreografinë e zakonshme, por siç e dini, nëse do të ketë një takim trepalësh, kjo varet shumë nga gatishmëria e të dyja palëve për t’u takuar në një format të tillë trepalësh”, tha Stano sot.
Kujtojmë se nesër në Bruksel pritet të mbahet raundi i ri i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Herën e fundit, kryenegociatorët e të dyja palëve u takuan me të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, më 17 shtator, por asokohe nuk kishte takim trepalësh.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se takimi trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk është mbajtur në Bruksel sepse kishte deklaruar ai pala serbe e ka kushtëzuar agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Prishtinën.
Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut.