Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Washington, ka folur për rrugëtimin e Kosovës, teksa ka theksuar rëndësinë e mosdorëzimit në rrugën drejt lirisë.
Derisa ka ndarë një video në platformën “X”, ku gjatë fjalimit të saj, Osmani ka thënë që nuk mund të përmendet paqja dhe siguria e qëndrueshme në Kosovë, pa i vënë në qendër gratë, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Një pjesë e madhe e asaj që jam sot dhe e asaj ku përqendrohem vjen nga trashëgimia e grave frymëzuese dhe të forta të vendit tim. Roli i tyre jetik gjatë luftës sonë për liri, pas luftës dhe gjatë procesit të shtetndërtimit ka qenë i jashtëzakonshëm. Ato e hapën rrugën për ne dhe është detyra jonë është të sigurohemi që kurrë të mos kthehemi pas. Pikërisht për shkak të shembullit të tyre, agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është një pjesë e rëndësishme e angazhimit tim të çdoditshëm. Si presidente dhe komandante e Forcës së Sigurisë së Kosovës, jam e bindur që nuk mund të flasim për paqe dhe siguri të qëndrueshme pa i vendosur gratë në qendër”, ka deklaruar Osmani në Samitin e Lidershipit Ndërkombëtar të Grave në John Hopkins School of Advanced International Studies.