Shkencëtarët në Brazil kanë njoftuar zbulimin e një fosileje të vjetër, e cila i përket me shumë gjasa një reptile të lashtë që ka jetuar rreth 237 milionë vjet më parë dhe mund të ofrojë të dhëna për ngritjen e dinozaurëve, raporton Reuters.
E emërtuar Gondwanax Paraisensis, kjo specie e reptilës me katër këmbë ishte afërsisht sa madhësia e një qeni të vogël, me një bisht të gjatë rreth 1 metër dhe një peshë prej 3 deri në 6 kilogramë, kanë sqaruar shkencëtarët të hënën në një deklaratë.
Reptila e vogël endej në territoret që sot janë pjesë e Brazilit, në një kohë kur klima e Tokës ishte shumë më e ngrohtë.
Fosili është identifikuar si një Silesauridë e re, një grup i zhdukur i reptilëve. Paleontologët ende debatojnë nëse Silesauridët ishin dinozaurë të vërtetë apo paraardhës të mundshëm të këtyre krijesave që më vonë dominuan jetën në Tokë.
“Në kuptimin e karakteristikave të këtyre paraardhësve, mund të ndriçohet elementi kyç që ka kontribuar në suksesin evolucionar të dinozaurëve,” thuhet më tej në deklaratë.
Fosili është zbuluar në një shtresë shkëmbi që daton nga periudha Triasike, që ndodhi midis 252 dhe 201 milionë vjet më parë, një kohë kur dinozaurët, si dhe gjitarët, krokodilët, breshkat dhe bretkosat, u shfaqën për herë të parë.
Në vitin 2014, mjeku Pedro Lucas Porcela Aurelio zbuloi fosilin në qytetin Paraiso do Sul, i cili ndodhet në shtetin më jugor të Brazilit, Rio Grande do Sul.
Ai e dhuroi fosilin në një universitet lokal në vitin 2021, gjë që nisi një hulumtim trevjeçar.
“Të jesh qenia e parë njerëzore që prek diçka të vjetër 237 milionë vjet është diçka e jashtëzakonshme,” deklaroi Aurelio për Reuters.
“Është një ndjenjë e papërshkrueshme,” shtoi ai, duke theksuar se ka qenë i pasionuar pas paleontologjisë që nga fëmijëria.
Zbulimi është paraqitur në detaje në një artikull të nënshkruar nga paleontologu Rodrigo Temp Müller* dhe botuar muajin e kaluar në revistën shkencore Gondwana Research.
“Pjesa më e rëndësishme e këtij zbulimi është lashtësia e tij,” tha Müller në një intervistë. “Duke qenë kaq i lashtë, ai na ofron të dhëna për shfaqjen e dinozaurëve.”
Ai shtoi se fosilet ishin mbuluar me një shtresë të trashë guri kur u dhuruan nga Aurelio, dhe fillimisht vetëm pjesë të vertebrave ishin të dukshme.
Gondwana do të thotë “udhëheqësi i Gondwanas”, një referencë për masën e tokës Gondwana, e cila ishte pjesa jugore e superkontinentit Pangea para se të ndahej në disa fragmente, ndërsa Paraisensis është një homazh për qytetin Paraiso do Sul.