Ende nuk është marrë vendim përfundimtar nëse Qeveria do ta publikojë letrën drejtuar Bashkimit Evropian me idetë për integrim evropian të Maqedonisë, njoftoi në konferencën e sotme pwr shtyp kryeministri Hristijan Mickoski.
Ai thotë se ka një dilemë personale nëse është e nevojshme që letra të publikohet pas takimeve me një sërë zyrtarësh të lartë evropianë në Berlin, të cilëve, siç thotë, ua ka shpjeguar në detaje idetë dhe qëndrimet e Qeverisë.
Mickoski thotë se pas kthimit nga Berlini është më optimist për rrugën evropiane të vendit.
“Patëm një vizitë jashtëzakonisht cilësore. Në margjina, por edhe në takime të tjera, pashë se ka iniciativa të tjera që vetë Berbok i përmendi pas takimit me ministrin Timço Mucunski. Mendoj se gjithçka që kam marrë atje si mesazh dhe kam dërguar si mesazh ka shtuar vlerën e gjendjes së mëparshme. Nuk do të doja të ndaja publikisht detaje, por jam më optimist se para takimeve të Procesit të Berlinit, pas takimeve me Scholz-in dhe partinë tonë simotër CDU”, tha Mickoski.
Gazetarët kërkuan nga Mickoski të komentojë deklaratën e të dërguarit të posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili në një konferencë me gazetarë nga rajoni tha se idetë e delegacionit qeveritar maqedonas u refuzuan në Berlin në margjinat e takimeve dhe se përfundimet janë të qarta.
“Nuk do të doja të komentoja për konferencat. Ne do të vazhdojmë t’i zgjidhim problemet brenda vendit dhe do të luftojmë jashtë me mekanizma si kriteret e Kopenhagës, përmes vlerave të vërteta evropiane që nuk nënkuptojnë ultimatume dhe kushte. Ne do të kërkojmë një zgjidhje të përhershme, jo një zgjidhje me të cilën do të kënaqet vetëm njëra palë”, deklaroi Mickoski.
Mickoski theksoi se ai kurrë nuk do të dorëzohet nga interesat kombëtare.
“Mesazhi im për qytetarët është se sjellja e kësaj Qeverie do të zhgënjejë një grup njerëzish, e ai është opozita. Por le të jenë të sigurt se unë kurrë nuk do t’i braktis interesat e shumicës dërrmuese të qytetarëve që na votuan, që janë interesi kombëtar dhe integrimi evropian”, shtoi Mickoski. /tvklan.mk