Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se KFOR-i është në Kosovë dhe do të vazhdojë të qëndrojë aty.
Kështu tha shefi i NATO-s kur u pyet nga Klankosova mbi zhvillimet e fundit në Kosovë por edhe për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
“Forcat e KFOR-it janë aty dhe aty do të qëndrojnë. Le të mos tregohemi naivë, Rusia është siç e dimë ne dhe mund ta shohim, dhe ju mund ta shihni, se po kërkon të minojë demokracitë në rajon që ne e dimë me të vërtetë. Kemi kërcënime kibernetike dhe hibride, janë absolutisht aty, dhe ju përballeni me ta dhe dezinformimi është aty. E dimë se ata përpiqen të përdorin dobësitë e brendshme për të nxitur përçarje dhe kështu ta bëjmë më të vështirë, për shembull për Prishtinën dhe Beogradin për të arritur një lloj diskutimi dhe për të gjitha pjesët e rajonit për t’u siguruar se ata i parandalojnë lëvizje secesioniste të avancojnë”.
“Kjo është ajo që Rusia po bën gjithmonë, duke u përpjekur të krijojë vështirësi dhe ajo që ne duhet të bëjmë është të qëndrojmë të qetë dhe të përqendruar dhe KFOR-i po e bën këtë, NATO po e bën këtë. E di që partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po e bëjnë këtë”, ka thënë Rutte në një përgjigje për Klankosova në konferencën e tij për media në Bruksel sot.
Ai përmendi edhe takimin e Procesit të Berlinit këtë javë në Berlin, teksa tha se kjo është dëshmi se “po ata (rusët) po tentojnë të interferojnë në Ballkanin Perëndimor, por ne nuk do të lejojmë të shpërqendrohemi, do të qëndrojmë të përqendruar në këtë”.
Konferenca e sotme e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte vjen një ditë para takimit të ministrave të mbrojtjes të shteteve anëtare të NATO-s.