Diskriminimi i nxënësve shqiptarë nuk është befasi në Kumanovë. Por, kjo çfarë do të lexoni në vazhdim është tronditëse se si ndahen nxënësit e të njëjtës shkollë. Agjencia e Lajmeve Zhurnal ka arritur të sigurojë edhe në formë të dokumentuar këtë ndarje e diskriminim klasik të nxënësve shqiptarë. Tmerrues është fakti ku për 30 nxënës shqiptarë ndahet vetëm një paralele në këtë shkollë, dhe për 21 nxënës maqedonas ndahen katër paralele. Ky veprim në këtë shkollë dëshmon që edhe kolektivi shqiptarë janë të diskriminuar, pra aludohet në atë që sa më i madh numri i paraleleve maqedonase aq më i madh numri i mësimdhënësve maqedonas edhe pse për të njëjtit nuk ka fare nevojë. Kjo më thjesht shpjegohet që në këtë shkollë ka më shumë nxënës shqiptarë e më pak mësimdhënës shqiptarë, ka më pak nxënës maqedonas e më shumë mësimdhënës maqedonas, e kjo përllogaritje absurde vjen si pasojë e manipulimit me numrin e paraleleve të krijuara, shkruan Zhurnal.
Nxënësit shqiptarë në shkollën fillore “Toli Zordimis” të Kumanovës trajtohen ndryshe nga nxënësit maqedonas –
Drejtori i kësaj shkolle, Dejan Mlladenovski, nuk pranoi të përgjigjet gjatë vizitës tonë në këtë shkollë por kërkoi që pyetjet tona t’i dërgojmë në formë të shkruar që ngjashëm edhe ai të përgjigjet. Nga kjo kuptohet se edhe përkundër faktit që pozitat janë të ndara sërish dirigjimi në veprim ndodhë prej “lartë”. Ne vepruam ashtu siç kërkoi drejtori pyetjet mbi këtë shqetësim i dërguam në formë të shkruar dhe për çështje korrektësie edhe përgjigja nuk ishte e vonuar.
Në përgjigjen e drejtorit në formë të shkruar ka të dhëna që nuk përputhen me ato që Zhurnal ka siguruar në formë të dokumentuar. E përpos kësaj, ka edhe një vet demantim të drejtorit në përgjigjen e tij, ku në fillim thotë që janë 36 paralele të ndara nga dy paralele për nxënësit shqiptarë dhe nga dy për ato maqedonas, e në fund të përgjigjes thotë që me ndryshimet që do të bëhen vitin që vjen do të përfundoj procesi i ndarjes së barabartë të paraleleve, pra nga dy. Në fakt, ndarja e paraleleve nuk duhet të bëhet në formë të barabartë por duke u bazuar në numrin e nxënësve, por aktualisht ndarja e paraleleve në këtë shkollë nuk është as e barabartë as ashtu siç duhet të jetë duke u bazuar në numrin e nxënësve.
“Mungesa e nxënësve fatkeqësisht është trend që po ndodhë në tërë vendin ngjashëm edhe në komunën tonë, aktualisht numri i nxënësve është 422 dhe ky numër sa shkon e zvogëlohet. Sa i përket numrit të paraleleve në secilën gjeneratë ka nga 4 paralele, në nivel qendror të shkollës ka gjithsej 36 paralele, të ndara nga dy paralele për nxënësit shqiptarë dhe dy për nxënësit maqedonas. Këtë vit kemi pasur optimizimin e brendshëm ku një paralele e klasave të teta është mbyllur për nxënësit maqedonas dhe është hapur për nxënësit shqiptarë. Përshkak të procesit që kërkon kohë është paraparë që për vitin e ardhshëm të mbyllet një paralele e nxënësve maqedonas dhe e njëjta të hapet për nxënësit shqiptarë të klasave të nënta, që përmes kësaj do të përfundonte procesi i rregullimit të paraleleve me çka do të kishim nga dy paralele për secilën gjuhë në të cilën zhvillohet mësimi”, është përgjigjur për Zhurnal drejtori i shkollës, Dejan Mlladenovski.
Mlladenovski tutje ka përmendur edhe shkollën në fshatin Rezhanovcë ku mësojnë nxënësit maqedonas nga klasa e parë deri të nëntën. Por, edhe përkundër lidhjes që mund të ekzistojë, sërish mbetet i pakuptimtë sqarimi dhe arsyetimi për ndarjen jo proporcionale të paraleleve që ekziston në shkollë.
Pra, është shumë e thjesht për tu kuptuar që nxënësit shqiptarë edhe pse janë në numër shumëfish më të lartë se ata maqedonas në shkollën fillore Toli Zordumis, për nxënësit shqiptarë është paraparë numër shumëfish më i vogël i paraleleve. Kjo nënkupton që në këtë shkollë ndodhë e kundërta, pra sa më i madh numri i nxënësve aq më i vogël numri i paraleleve.
Ajo çfarë ka siguruar Zhurnal bëhet fjalë për këtë tabelë në të cilën është e pasqyruar qartë ndarja e nxënësve në baza etnike, ku pavarësisht numrit të nxënësve për maqedonasit janë paraparë tre e më shumë paralele, ndërkaq për nxënësit shqiptarë dy e më pak paralele.
Klasat e para: 11 nxënës maqedonas, 3 paralele / 28 nxënës shqiptarë, 2 paralele
Klasat e dyta: 15 nxënës maqedonas, 3 paralele / 23 nxënës shqiptarë, 2 paralele
Klasat e treta: 12 nxënës maqedonas, 3 paralele / 30 nxënës shqiptarë, 2 paralele
Klasat e katërta: 17 nxënës maqedonas, 3 paralele / 42 nxënës shqiptarë, 2 paralele
Klasat e pesta: 11 nxënës maqedonas, 3 paralele / 35 nxënës shqiptarë, 2 paralele
Klasat e gjashta: 18 nxënës maqedonas, 3 paralele / 32 nxënës shqiptarë, 2 paralele
Klasat e shtata: 12 nxënës maqedonas, 3 paralele / 32 nxënës shqiptarë, 2 paralele
Klasat e teta: 22 nxënës maqedonas, 3 paralele / 33 nxënës shqiptarë, 2 paralele
Klasat e nënta: 21 nxënës maqedonas, 4 paralele / 30 nxënës shqiptarë, 1 paralele
Për ta sqaruar më lehtë për lexuesit tanë në shkollën fillore “Toli Zordumis” në Kumanovë numri i nxënësve shqiptarë është 255 e për këta nxënës janë ndarë vetëm 17 paralele, pra 15 nxënës për paralele, ndërkaq në të njëjtën shkollë mësojnë 139 nxënës maqedonas për të cilët janë ndarë 28 paralele, që i bie mesatarisht 5 nxënës në një paralele, trefish më pak se nxënësit shqiptarë.
E kjo ndarje dhe ky manipulim me paralele nuk është bërë rastësisht as gabimisht. Por, me të vetmin qëllim që të krijohet mundësia e angazhimit të një numri më të madh të mësimdhënësve maqedonas edhe pse për të njëjtit nuk ka fare nevojë. Prandaj, sa më parë duhet të merren masa konkrete në këtë drejtim, si në këtë shkollë ngjashëm edhe në gjitha shkollat e vendit të bëhet pastrim dhe ri-rregullim i funksionimit në mënyrë që të bëhet punë efektive dhe qëllimi të jetë arsimimi nxënësve e jo sigurimi i pagave për kolegë, shokë e miq. /Zhurnal.mk