Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 11.10.2024 është marrë vendim për ndarjen e 200,000 eurove për organizimin e Olimpiadës Matematike për vajza ‘EGMO 2025’.Sipas ministres Nagavci, Olimpiada Matematike për vajza do të mbahet për herë të parë në Kosovë dhe organizohet nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës.
“Ky do të jetë një organizim prestigjioz ndërkombëtar që do të mbahet nga data 11 deri në 17 prill 2025 në Prishtinë ku do mbledh vajzat më të talentuara si dhe matematikanët më të shquar nga e gjithë bota. EGMO është gara më prestigjioze ndërkombëtare e matematikës për vajza që ka për qëllim t’i inkurajojë vajzat që të merren me matematikën dhe zbatimin e saj” – ka shkruar Nagavci në Facebook, më 12.10.2024.
Nagavci ka thënë se gara e matematikës zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të Europës me pjesëmarrje të rreth 60 shteteve, duke i përfshirë edhe shtetet jo-europiane që marrin pjesë si mysafirë.Me këtë rast, ajo ua ka përmendur matematikanëve mbështetjen e Qeverisë së Kosovës ndaj tyre.
“Që nga marrja e mandatit si Qeveri, kemi ofruar mbështetje shumëdimensionale për matematikanët e rinj, mes të tjerash përmes subvencioneve të përvitshme për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, dhe mbështetje për pjesëmarrjen e tyre në gara ndërkombëtare” – ka shtuar Nagavci.Organizimin e Olimpiadës Matematike për vajza në Kosovë, Nagavci e quan jo vetëm “organizim historik”, por edhe përfaqësim dinjitoz të vajzave nga Kosova.