Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë pritet që sot (e mërkurë) të mbahet seanca fillestare ndaj tre prej 45 të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.
Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq pritet të deklarohen sot rreth fajësisë, pasi seanca e 27 shtatorit ishte ndërprerë me kërkesë të mbrojtjes së tyre, me arsyetimin se i kanë pranuar me vonesë shkresat e lëndës.
Në atë seancë, Themelorja njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për t’i kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë, edhe për pjesën tjetër të të akuzuarve që kishte ikur.
Më 11 shtator Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit (ish-nënkryetar i Listës Serbe) dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë. Si rezultat i dhunës së përdorur u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku.
45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.