Banorët në Bosnjë-Hercegovinë janë kthyer në shtëpitë e tyre të shkatërruara nga përmbytjet e fundit. Amel Sitar nga zona e Buturovic Polje tregon se uji pushtoi në pak minuta shtëpinë e tij duke arritur deri në katin e dytë. “Shtëpia e xhaxhait tim ndodhej sipër shtëpisë time, dhe më pas kishte edhe një ndërtesë tjetër. Gjithçka u zhduk për gjysmë ore. Përmbytjet këtu arritën deri në mbi 6 metra lartësi”.
Sitar tha se ekipet e shpëtimit po kërkonin ende për të paktën katër persona të zhdukur nga fshati, përfshirë një të afërm të tij. “Kërkojnë ende një grua, për xhaxhain tim dhe në këtë shtëpinë më poshtë, Ahmedin dhe gruan e tij, të cilët ende nuk janë gjetur”. Banori thotë se është i pashpresë për të ardhmen pasi ka humbur gjithçka të cilën e ndërtoi për vite me rradhë. “Më thuaj çfarë të bëj më pas, kur gjithçka për të cilën ke punuar kaq shumë në jetë zhduket brenda pak minutash, sa hap e mbyll sytë”.
Të tjerë ndihen me fat që të paktën nuk kanë humbur njerëzit e familjes. “Përmbytjet më morën çdo gjë. Vetëm familja, falë Zotit më ka mbetur.”
Ekspertët thonë se përmbytjet në Bosnje kanë qenë më të rënda edhe për shkak të shpyllëzimit, ndërtimit pa kriter që kanë përkeqësuar ndikimin e ndryshimeve klimatike. Ndërkohë që vijojnë kërkimet për të mbijetuar nga përmbytjet shkatërruese dhe rrëshqitjet e dheut që përfshiu Bosnjën tre ditë më parë. Numri i viktimave deri më tani ka shkuar në të paktën 20, por pritet që bilanci të rritet ditët në vazhdim.