Pas më shumë së 24 orësh punë, Vlora i rikthehet normalitetit, uji largohet nga rrugët kryesore duke sjellë përmirësim të situatës, ndërkohë bashkia dhe forcat e ushtrisë po punojnë për largimin e plotë të ujit edhe në brendësi të lagjeve të qytetit bregdetar.
Rrugët në zonën e Skelës, lagjet Pavarësia, 28 Nëntori dhe Kushtrimi ishin të mbuluara nga uji gjatë paradites së të shtunës duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve, por prej pasdites këto rrugë u bënë sërish të kalueshme nga automjetet dhe qytetarët.
Autoritetet e bashkisë dhe punonjësit e saj si dhe forca të ushtrisë që ndihmuan në normalizimin e situatës kanë qenë në terren gjatë gjithë ditës e së shtunes.
Kryetari i Bashkisë Ermal Dredha tha se pas evidentimit të dëmeve të shkaktuara prej përmbytjeve do të ketë dëmshpërblime për të prekurit.
Ai tha se do të bëhen dhe ndërhyrjet e nevojshme. Vërshimi i ujit shkaktoi dëme në disa banesa e biznese.
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut mbrëmjen e të premtes bashkia largoi nga banesat 55 persona dhe i strehoi në konvikte.
Banorë të qytetit u ndihmuan me veshje dhe sende personale. Të premten sipas shërbimit meteorologjik ushtarak në Vlorë vetëm për tre orë u regjistrua një sasi shume e madhe rreth 180mm shi, duke bërë që uji të vërshojë në rrugë.