36
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq në një intervistë për IndeksOnline ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë.
Sipas saj, rasti i Banjskës duhet të jetë një mësim e që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mos të negociojë me palën kosovare derisa rasti të hetohet në mënyrë që të mësohet se çfarë ka ndodhur saktësisht.
“Vuçiqi nuk është kompetent të negociojë derisa të mos sqarohet rasti i Banjskës. Pa u marrë vesh se çfarë kishte ndodhur nuk duhet të negociohet”, ka thënë Trajkoviq.
Kujtojmë se një vit më parë në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup terrorist e i armatosur rëndë i prirë nga kryeterroristi Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës, ku për pasojë vdiq zyrtari policor, heroi Afrim Bunjaku.
Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës mes tjerash ka komentuar edhe largimin e strukturave ilegale nga Kosova, derisa thotë se mungon stabiliteti.
“Të larguarit nga veriu gjenden në linjën administrative. Ndaj ata dëshirojnë zgjidhje të përhershme, ndonëse Kurti nganjëherë urdhëron aksione. Prandaj situata nuk është stabile. Ata duan të zgjidhet statusi i tyre. Kurse ata që kanë dalë me Radojçiqin ndaj tyre duhet të bëhet abolacioni (falja) dhe kjo të procesohet menjëherë”, ka deklaruar ajo, transmeton IndeksOnline.
E para e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, është pyetur poashtu nëse serbët do të jenë pjesëmarrës në zgjedhje.
“Do t’ishte mirë që të dalim dhe të votojmë në zgjedhjet lokale dhe ato qendrore. Në listat zgjedhore duhet të jenë edhe të larguarit që kanë pasaportat e drejtorisë koordinuese, ngase edhe ato janë legale”, ka vlerësuar Trajkoviq.