Mesfushori Adrion Pajaziti është emër i ri në Kombëtaren e Shqipërisë në futboll. Selektori Sylvinho të premten shpalli listën për ndeshjet me Çekinë e Gjeorgjinë, që i takojnë Ligës B të Ligës së Kombeve.
Sylvinho ende nuk mund të llogarisë në Armando Brojën që është i lënduar. Për shkak të lëndimeve mungojnë edhe Rey Manaj, Medon Berisha e Keidi Bare. Te kuqezinjtë janë kthyer Mirlind Daku e Arlind Ajeti, ndërsa jashtë listës në krahasim me ndeshjet e shtatorit kanë mbetur Agim Zeka e Sebastjan Spahiu. Sylvinho ka lënë të kuptohet se ata nuk kanë bindur gjatë grumbullimit të kaluar.
I dyshimtë mbetet grumbullimi i kapitenit Berat Gjimshiti, ndonëse ai është në listën e publikuar.
Gjimshiti pësoi lëndim në ndeshjen e kaluar me Atalanta-n dhe çdo gjë varet nga gjendja e tij në fundjavë.
“Pajaziti është lojtar që e njoh. Ka ndryshuar skuadër dhe po luan shumë mirë. Më pëlqen si luan, është rritur shumë si lojtar. Është mesfushor që mund të luajë në shumë role. Sa i përket Amir Abrashit, ai mund të japë ende shumë për Kombëtaren. Kemi shumë lojtarë të rinj në Kombëtare si Asllani, Mitaj, Muçi, të cilët kanë nevojë për futbollistët me përvojë si Gjimshiti, Ajeti, Abrashi, të cilët e njohin mirë skuadrën dhe mund të na nevojiten. Abrashi është lojtar me të cilin mund të luajmë. Kam besim te ky lojtar”, ka thënë Sylvinho në konferencë për shtyp, të premten.
Pajaziti luan për Goricën në Kroaci, ndërsa së fundi shkëlqeu me U21 të Shqipërisë, duke realizuar dy gola ndaj Zvicrës.
Sylvinho është pyetur edhe për Albion Ademin, që bën karrierë në Kinë. Ka thënë se ende nuk është momenti i tij. Për Indrit Tucin e Sparta Pragës ka treguar se është në listën e gjerë, njëjtë si disa lojtarë të tjerë.
Ernest Muçi po paraqitet mirë në Turqi dhe Sylvinho e ka përfshirë në listë, duke e kthyer në Kombëtare. Sipas Sylvinho-s, Muçi është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, por duhet të ketë durim. Ka paralajmëruar se Muçi mund ta ketë rastin në ndeshjet e tetorit.
Në konferencë, braziliani është pyetur edhe për Brojën.
“Kam folur me Evertonin. Sipas klubit, ai ka nevojë edhe për pesë javë që të rikuperohet. Për momentin nuk është në gjendje të luajë me ekipin e tij dhe automatikisht nuk është në dispozicionin tonë. Është lojtar i rëndësishëm, ishte në Evropian me ne. Presim që të kthehet sa më shpejt”, ka thënë Sylvinho.
Shqipëria më 11 tetor luan në Pragë ndaj Çekisë. Më 14 tetor në Tbilisi përballet me Gjeorgjinë.
Kuqezinjtë e nisën kampanjën në Grupin 1 të Ligës B me fitore 2:1 ndaj Ukrainës, më 7 shtator në Pragë. Më 10 shtator, Shqipëria u mposht 1:0 nga Gjeorgjia në Tiranë.
“Kemi dy ndeshje të vështira në udhëtim. Çekia është ekip i fortë, fiton centimetra. Luan teknikisht dhe ka 4-5 lojtarë me të cilët mund të luajë në ajër. Ka një tranzicion të shpejtë dhe ka lojtarë fizikë. Do të jenë dy ndeshje të vështira dhe është një grup i vështirë”, thotë Sylvinho.
Lojtarët e Shqipërisë nisin grumbullimin të dielën. Të hënën grupi i lojtarëve pritet të jetë i kompletuar.