Ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka vazhduar me takimet intenzive në kuadër të aktiviteteve të tij.
Ai së fundmi është takuar me Ministrin e Brendshëm të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, për të zhvilluar bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë mes dy vendeve.
“Pata rastin të takohem me Ministrin e Brendshëm të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, për një diskutim të frytshëm mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë mes vendeve tona. 🇦🇱🤝🇲🇰 Diskutuam për përditësimin e marrëveshjeve ekzistuese mes Ministrive të Brendshme dhe mundësinë e ngritjes të një pike one-stop-shop në pikën kufitare të Bllatës, për të rritur efikasitetin e kalimit kufitar. 🛂
Po ashtu, u përqendruam te lehtësimi i kontrolleve kufitare gjatë sezonit turistik por sigurisht diskutuam edhe përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e Ministrisë së Brendshme. Këto janë hapa të rëndësishëm për një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme për të dy vendet” – thekson Meidani.
Meidani ka takuar edhe Ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani.
“Një takim i frytshëm me Ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani. Diskutuam gjerësisht mbi situatën politike në Maqedoninë e Veriut dhe ecurinë e procesit të integrimit evropian të të dy vendeve. 🇦🇱🤝🇲🇰
Të dyja palët dakortësuam rëndësinë e përditësimit tematik të bashkëpunimit në fushën e politikave sociale dhe rinisë midis dy vendeve tona.🧑🧑🧒
Po ashtu, theksuam rëndësinë e garantimit dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve në RMV, si një faktor kyç për stabilitetin e brendshëm dhe të ardhmen europiane të rajonit.
Një bashkëpunim i qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është kyç për të ndërtuar një rajon të sigurt, të qëndrueshëm dhe me perspektivë të qartë drejt Bashkimit Evropian” shkruan Meidani pas takimit.
Më pas ambasadori shqiptar, ka takuar edhe Ministrin për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
“Kënaqësinë e veçantë të takohem me Ministrin për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ku zhvilluam një diskutim të çiltër mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. 🇦🇱🤝🇲🇰
Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet një nga prioritetet kryesore për të dy vendet tona, si një rrugë e qartë për zhvillimin e qëndrueshëm, stabilitetin dhe përparimin e rajonit. Ky proces është jetik për të ndërtuar një Ballkan të integruar dhe më të fortë brenda familjes evropiane. Bashkëpunimi ynë i ngushtë do të ndihmojë në përshpejtimin e këtij udhëtimi drejt BE-së, duke forcuar lidhjet tona dhe duke ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme për të gjithë rajonin” – shkruan Meidani.