Klevis Jahaj, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, foli për skemën e re të subvencionimit të furnizimit me ujë. Nëpërmjet kësaj skeme, qeveria do të paguajë këto shërbime për njerëzit që kanë vërtet nevojë, duke mbuluar deri në 5 m3 ujë në muaj.
Në një intervistë për “Money Report”, Jahaj tha se nga skema përfitojnë 64 mijë persona, të ndarë në 5 kategori, mes të cilëve familjet me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët që nuk janë të regjistruar në institucionet e kujdesit social, viktimat e trafikimit apo dhunës në familje.
“Sipas udhëzimit, parashikohet se janë 64 mijë përfitues nga skema e ndihmës ekonomike që përfitojnë zbritje në faturën e tyre mujore, për 5 metër kub të furnizimit me ujë çdo muaj. Gjithashtu edhe të shërbimeve ekuivalente për 5 metër kub dhe të kanalizimeve. Vlera e përfituar për çdo familje ndryshon, sepse varet edhe nga tarifa e ujit që ofron shoqëria por sasia e nevojshme bazuar në kalkulime është përcaktuar më se e nevojshme për të ulur ngarkesën e shpenzimeve mujore.“, u shpreh ai.
I pyetur për afatin kohor, Jahaj tha: “Ky projekt ka nisur këtë vit dhe duke pasur ecurinë do të vazhdojë edhe për vitet e tjera, ku do të jetë një nga format e shpërndarjes së subvensionit”.
Duke u ndalur te aksioni në sezonin veror për impiantet për ujërat e ndotur, ai tha se mbi 200 operatorë turistikë janë pajisur ose kanë nisur punën për impiantet.
“Jemi kujdesur që edhe para formimit të Task Forcës, të ndërgjegjësojmë operatorët që ofrojnë këtë shërbim në zonat bregdetare dhe liqenore që duhet të pajisen me këtë proces të paratrajtimit për të rritur cilësinë e ujërave larës. Janë mbi 200 operatorë turistikë që janë pajisur me impiantet individuale të paratrajtimit të ujërave të ndotura ndërsa Task Forca gjatë shtatorit dhe në vijim do të vazhdojë kontrollet për zbatueshmërinë e këtij akti. Rezultatet janë të rëndësishme dhe besojmë se do të vazhdojë ky proces si një kontribut i përbashkët ndërmjet operatorëve privatë.“, tha Jahaj.
Sa i përket reformës së ujësjellësave, ai tha se rezultatet e para janë të mira, pasi krahasuar me vitin 2023, ka 400 milionë lekë të reja të arkëtuara nga shoqëritë rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve.
“Kemi mbyllur procesin e parë duke formuar shoqëri rajonale në të gjithë territorin. Rezultatet e para janë mbresëlënëse ku kemi parë ulje të ujit pa të ardhura në 7 mujorin e parë. Dhe rezultatet e arkëtimeve është më i lartë se 2023, deri në korrik janë më shumë se 400 milionë lekë të reja të arkëtuara nga shoqëri rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve. Kemi një target të qartë në nivel sektor dhe janë nëpërmjet një kontrate performance me shoqëritë rajonale, ku monitorohen çdo muaj për të arritur qëllimin për reduktimin e ujit pa të ardhura dhe për ta kthyer sektorin të aftë për të përballur të gjitha kostot që i duhet për shërbimin e tyre.“, u shpreh Jahaj./abcnews.al