Tregimi më i madh i pushtetit në rrafshin e politikës së jashtme ka qenë liberalizimi i vizave, proces këtë që Qeveria e Kosovës e kishte gjetur me nëntëdhjetë-e-kusur kritere e kushte të përmbushura nga qeveritë paraprake. “Nuk e premtuam, por e realizuam”, shkruante Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në brohoritjen e kësaj arritjeje.
Liberalizimi i vizave për pasaportat e Kosovës – me tërë entuziazmin që shoqërohej – megjithatë me vete kishte edhe një proces paralel tejet të hidhët e për të cilin nuk flitej: pasaportat e Serbisë të lëshuara nga e ashtuquajtura “Drejtori Koordinuese për Kosovë dhe Metohi” për serbët e Kosovës.
Këtyre dokumenteve – të paligjshme për Kosovën – do t’u jepej i njëjti liberalizim i vizave për të udhëtuar për në Zonën Schengen të Bashkimit Evropian.
Me një nervozë të thellë – kjo ishte një dhe e vetmja herë – Zëvendës Kryeministri i Kosovës për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, e kishte quajtur “shkelje të sovranitetit dhe të papranueshme”.
“Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë. Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme”, shkruante Bislimi.
Në këto pasaporta qytetet e Kosovës llogariten si pjesë të Serbisë dhe shkruhen në serbisht si p.sh “Urosevac” për Ferizaj, dhe “Republika e Serbisë”.
“Këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e kemi adresuar drejt instancave më të larta të BE-së. I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta”, shkruante Bislimi.
Por, kaq ishte kjo punë: përgjigje s’kishte marrë, pyetje të tjera s’kishte ngritur.
Hiç më larg se sot u finalizua zyrtarisht liberalizimi i vizave për këto pasaporta të paligjshme brenda vendit, ku vendimi u botua në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
Vendimi shkruan kështu:
- “Në Pjesën 1, Aneksi II të Rregullimit (BE) 2018/1806, hyrja “Serbia (me përjashtim të mbajtësve të pasaportave nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë (në serbisht: Koodinaciona uprava) zëvendësohet me
- “Serbia (përfshirë edhe mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë)
- Lirimi nga kërkesa për vizë i aplikohet të gjithë mbajtësve të pasaportave biometrik të lëshuara në pajtim me standardet e Organizatës së Avicionit Civil
Çka pati thënë BE-ja?
- “Është komplementare (plotësuese) me liberalizimin e vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës”.
Kjo pati qenë përgjigja nga Komisioni Evropian për Nacionalen pyetur se si e arsyetonin heqjen e regjimit të vizave për pasaportat serbe të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese për Kosovë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.
Kështu, sipas BE-së, liberalizimi i vizave për mbajtësit e pasaportave Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë për një shtet tjetër nuk u dhanë të jenë përjashtuese ndaj njëra-tjetrës, por “komplementare”.
Qeveria e Kosovës s’është deklaruar më për çështjen e liberalizimit të vizave për ato pasaporta të paligjshme, ndërsa në përgjithësi pushteti ka provuar ta heshtë atë edhe si temë.