Kreu i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergey Shoigu, pati një takim të premten me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë një vizite në Phenian, njoftuan agjencitë ruse të shtypit, të cituara nga Reuters.
Vizita u zhvillua në një moment kritik të luftës së nisur nga Moska kundër Ukrainës, për mbështetjen e së cilës Pheniani do t’i kishte dorëzuar Rusisë municion dhe raketa balistike, sipas Uashingtonit.
SHBA dhe aleatët e saj ende po shqyrtojnë nëse do të lejojnë Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë për të goditur thellë në territorin rus. Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se nëse kjo ndodh, Perëndimi do të hyjë në luftë drejtpërdrejt kundër Rusisë.
Moska dhe Pheniani kanë mohuar se ka transferime armësh mes tyre, por kanë deklaruar se do të forcojnë lidhjet e tyre ushtarake. Rusia ka thelluar marrëdhëniet e saj me Korenë e Veriut që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës dhe Kim mirëpriti Vladimir Putin në një vizitë shtetërore në qershor.
Serghey Shoigu ishte ministër i Mbrojtjes deri në maj, ndërsa aktualisht është Sekretar i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, ku përfshihen edhe Vladimir Putin, krerët e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë.
“Si pjesë e dialogut të vazhdueshëm strategjik midis vendeve tona, pati një shkëmbim intensiv pikëpamjesh me kolegët koreanë për një sërë çështjesh në axhendën dypalëshe dhe ndërkombëtare”, theksoi Këshilli i Sigurimit i Federatës Ruse, cituar nga RIA Novosti.
Sipas Këshillit të Sigurimit, takimi u zhvillua në një “atmosferë të jashtëzakonshme besimi, miqësie” dhe do të japë një kontribut të rëndësishëm në zbatimin e marrëveshjeve të arritura midis Putinit dhe Kim gjatë samitit të tyre tre muaj më parë.