Zëvendëspresidentja demokrate e SHBA-së, Kamala Harris, e vendosi të martën republikanin Donald Trump në mbrojtje gjatë një debati presidencial të ashpër të zhvilluar në televizionin ABC, me një sërë sulmesh për kufizimet e abortit, përgatitjen e saj për postin dhe morinë e problemeve të tij me ligjin, ndërsa të dy kandidatët kërkuan të arrinin një moment vendimtar në këto zgjedhje të karakterizuara nga një garë e ngushtë, komenton Reuters.
Në një shtysë për fushatën e kandidates demokrate, superylli i muzikës pop Taylor Swift u tha ndjekësve të saj prej 283 milionë në Instagram menjëherë pas debatit se do të mbështeste Harris dhe bashkëkandidatin e saj Tim Walz në zgjedhjet e 5 nëntorit. Postimi mori pothuajse 2 milionë pëlqime brenda 25 minutave.
Ish-prokurorja Harris, 59 vjeçe, u duk se e sulmoi Trumpin në mënyrë të përsëritur në pikat më të ndjeshme, gjë që e detyroi Trumpin, 78 vjeç, dukshëm të irrituar, t’i përgjigjej me disa deklarata të pavërteta.
Në një moment, ajo përmendi mitingjet e fushatës së Trumpit, duke e acaruar ish-presidentin republikan kur tha se njerëzit largohen shpesh herë para kohe nga mitingjet e tij “nga lodhja dhe mërzia”.
Kandidatët u përballën për çështje si emigracioni, politika e jashtme dhe shëndetësia, por debati nuk kishte substancë kur bëhej fjalë për detajimin e këtyre politikave nga ana e kandidatëve.