Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar”.
Ndonëse Krasniqi etiketohet si “Njeriu i Vetëvendosjes”, e ka një histori të gjatë të lidhjeve të tij me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), partinë e Albin Kurtit që aktualisht është në pushtet, presidentja Osmani mohon të ketë informata për këtë gjë.
Ajo arsyetohet se nuk e ka bërë këtë emërim e madje thotë se as kurrë nuk e ka takuar Nagip Krasniqin.
“Unë nuk e kam bë atë emërim dhe nuk e njoh, thjesht më duhet.. Këto emërime të cilat janë ekskluzivisht në dorën e Qeverisë së Kosovës apo të Kuvendit nuk vijnë në Presidencë. Kurrë në jetë nuk e kam taku Nagip Krasniqin dhe tash po e dëgjoj që paska qenë aktivist politik në Vetëvendosje. Duhet me prit drejtësia me thanë fjalën e vet. Gjyqësia përderisa e bën punën, sa e di unë para gjykatave ende nuk ka dalë rasti, është vetëm në proces të konfirmimit të aktakuzës, aq sa kam lexu. Nuk e di çka përmban.
Nuk është sen i vogël por ka shumë njerëz që iu ngriten aktakuza e në fund shpallen të pafajshëm, prandaj duhet ta presim procesin gjyqësor dhe në të njëjtën kohë po them që nuk e di përçka saktësisht akuzohet sepse nuk e kam pa aktakuzën. Është mirë që për këto gjëra që janë komplet jashtë kompetencave të Presidentes, me i diskutu me autoritetet përkatëse që bëjnë edhe emërimet edhe shkarkimet edhe i përzgjedhin njerëzit”, tha Osmani në një intervistë për Kallxo.
Paparaci kishte publikuar aktakuzën ndaj Krasniqit, ku sqarohen tërë veprimet e tij që bien ndesh me dispozitat ligjore.
Aktakuza ndërlidhet me mospërfillje e rekomandimeve të ZRRE-së, zyrës ligjore të KEK-ut e grupit punues për ndërprerje të tregtimit të rrymës me kompani të palicencuara, dëm prej 3.2 milionë euro për KEK-un, shmangie tatimore prej 531,920,79 euro, destabilizim të tregut e diskriminim të operatorëve të licencuar.
KEK-u në krye me Krasniqin, ka nënshkruar kontrata kornizë me tregtarë të cilëve nuk u është njohur licenca në Kosovë. Përkundër reagimeve dhe shkresave zyrtare nga ZRRE që të ndalojë aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrje të pa licencuar, KEK-u ka vazhduar të kryejë aktivitete në kundërshtim me obligimet ligjore.
Nagip Krasniqi është i njohur në vend falë lidhjeve të tij të ngushta me Lëvizjen Vetëvendosje, ku edhe u shërbye me pozita të rëndësishme.
Një nga rolet e tij më të spikatura ka qenë drejtimi i Komitetit për Energji në LVV, një organ këshillues brenda partisë, sipas statutit të këtij subjekti.
Lidhjet e tij me Vetëvendosjen dhe marrëdhëniet e ngushta me udhëheqësin e partisë, kryeministrin aktual Albin Kurti, i kanë dhënë Krasniqit ndikim të konsiderueshëm.
Pavarësisht kësaj lidhjeje të ngushtë me LVV-në, Krasniqi ka theksuar publikisht se nuk është anëtar i partisë.
Megjithatë, ai ka vazhduar të gëzojë mbështetje dhe avancime në karrierë, të cilat janë parë si një pasqyrim i afërsisë së tij Vetëvendosjen.
Ai është parë rregullisht në takime me figura kyçe të partisë, që nga koha e Visar Ymerit e deri te takimet me zëvendëskryeministrin aktual, Besnik Bislimi.
Arrestimi i Nagip Krasniqit ishte bërë shkak që kryeministri, Abin Kurti, të drejtojë akuza të shumta kundër Prokurorisë dhe kryeprokurorit të PS-së, Blerim Isufaj.
Kurti në një seancë të Kuvendit i kishte dalë në mbrojtje Krasniqit, teksa kishte thënë se në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.
Ai ka theksuar se në atë seancë plenare opozita po ia bën gjyqin “një njeriu që i ka sjellë mbi 100 milionë euro fitime KEK-ut”.
Kurti, ndërkaq, e kishte kualifikuar Prokurorinë si selektive, ndërsa ka thënë se ajo “me zellin e njëjtë nuk kanë vepruar edhe me dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme”.