Interi arriti një fitore spektakolare mbrëmjen e sotme duke mposhtur Atalantën me rezultatin 4-0 në duelin e vlefshëm për javën e tretë të Serisë A.
Një autogol i pafat i Gjimshitit në minutën e tretë hapi serinë e golave, ndërkohë që 7 minuta më vonë ishte radha e Barelës që me një gol spektakolar të dyfishonte shifrat.
Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 2-0, ndërkohë që në fragmentin e dytë të lojës, zikaltërit shënuan edhe 2 herë të tjera me Turam, i cili kompletoi dopietën në minutat 47 dhe 56.
Për sa i përket Kristjan Asllanit, mesfushori shqiptar u aktivizua në minutën e 61-të të sfidës duke zënë vendin e Çalhanoglu. Në fund festa ishte e gjitha e mesfushorit të Kombëtares shqiptare, që fitoi “derbin” me Berat Gjimshitin.
Duelin e radhës Interi do e luajë në transfertë ndaj Monzës, ndërkohë që Atalanta pret në shtëpi Fiorentinën.