Kina dëshiron bisedime “të konsiderueshme” me Shtetet e Bashkuara, tha të martën kreu i diplomacisë kineze, Wang Yi, përpara një takimi në Pekin me Jake Sullivan, këshilltar i presidentit amerikan Joe Biden, mes tensioneve dypalëshe dhe rajonale, raporton AFP.
Jake Sullivan, i cili mbërriti në Pekin të martën, është këshilltari i parë për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë që viziton Kinën që nga viti 2016.
Kjo vizitë, e cila është planifikuar të zgjasë deri të enjten, zhvillohet disa muaj para zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe në një kontekst të tensionuar mes Kinës dhe disa aleatëve të Shteteve të Bashkuara në Azi.
Japonia, një nënshkruese e një traktati sigurie me Shtetet e Bashkuara, vendosi avionë luftarakë të hënën pas një inkursioni të paprecedentë nga një avion ushtarak kinez në hapësirën e saj ajrore. Tokio e konsideron incidentin një “shkelje serioze” të sovranitetit të saj.
Nga ana e tyre, Filipinet, të cilat nënshkruan një traktat të ndërsjellë të mbrojtjes me SHBA-në, vlerësuan të martën se Pekini është “shqetësuesi më i madh” i paqes në Azinë Juglindore, pas një sërë incidentesh në Detin e Kinës Jugore midis anijeve filipinase dhe kineze.
Kina dëshiron bisedime “të konsiderueshme” me Shtetet e Bashkuara, tha kreu i diplomacisë kineze, Wang Yi, përpara një takimi të parë me Jake Sullivan.
“Si gjithmonë, shpresoj që këto diskutime të jenë jo vetëm strategjike, por edhe thelbësore dhe konstruktive”, i tha ai zyrtarit amerikan në një konferencë për shtyp.
Nga ana e tij, Jake Sullivan deklaroi se është i “etur” për të nisur këto diskutime.
“Ne do të trajtojmë një gamë të gjerë çështjesh: ato për të cilat jemi dakord dhe ato (…) për të cilat ka ende dallime,” theksoi Jake Sullivan, i cili mban një pozicion vendimtar në ekzekutivin amerikan.
Jake Sullivan dhe Wang Yi janë takuar pesë herë në 18 muajt e fundit, duke përfshirë një herë në Uashington dhe një herë tjetër gjatë samitit të nëntorit 2023 midis Joe Biden dhe Xi Jinping në Kaliforni.
Marrëdhëniet dypalëshe midis SHBA dhe Kinës mbeten të tensionuara, me mosmarrëveshje të ndryshme tregtare, zgjerimi kinez në Detin e Kinës Jugore dhe çështja e Tajvanit janë çështjet më të mprehta.