Një aktivist politik nga Azerbajxhani, një politikane nga Venezuela dhe një aktiviste për të drejtat e grave nga Gjeorgjia janë në listën e shkurtër të nominuarve për edicionin e vitit 2024 të Çmimit Vaclav Havel për të Drejtat e Njeriut, i cili shpërblen veprime të shquara të shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Evropë dhe më gjerë, njoftoi të martën Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APCE) në një komunikatë.
Mbledhur në Pragë, juria e përzgjedhjes – e përbërë nga personalitete të pavarura nga bota e të drejtave të njeriut dhe e kryesuar nga presidenti i APCE, Theodoros Rousopoulos – vendosi të nominojë Akif Gurbanov nga Azerbajxhani, Maria Corina Machado nga Venezuela dhe Babutsa Pataraia nga Gjeorgjia.
Akif Gurbanov është një mbrojtës i të drejtave të njeriut, aktivist politik dhe anëtar aktiv i shoqërisë civile në Azerbajxhan. Ai është bashkëthemelues i Institutit të Nismës Demokratike (IDI) dhe i Platformës Republika e Tretë. Ai u arrestua në mars 2024 gjatë një vale arrestimesh që synonin gazetarë dhe aktivistë në vend.
Maria Corina Machado është një figurë politike kryesore nga Venezuela, e angazhuar në denoncimin e abuzimeve të të drejtave të njeriut në vendin e saj dhe në mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ajo është bashkëthemeluese e organizatës qytetare të vullnetarëve venezuelas “Sumate” për lirinë civile dhe politike, të drejtat dhe pjesëmarrjen qytetare.
Babutsa Pataraia është një aktiviste feministe kryesore dhe avokate për të drejtat e njeriut nga Gjeorgjia. Ajo është drejtoreshë e organizatës joqeveritare Sapari, e cila fokusohet në të drejtat e grave dhe ofron mbështetje për viktimat e dhunës që nga viti 2013. Ajo ka punuar për më shumë se një dekadë për të luftuar feminicidin, dhunën seksuale ndaj grave dhe ngacmimet seksuale.
Duke shpallur përzgjedhjet e jurisë, presidenti i APCE-së ka bërë një homazh për të gjithë mbrojtësit e të drejtave të njeriut të cilët, nganjëherë me çmimin e jetës së tyre, qëndrojnë të palëkundur në mbrojtjen dhe promovimin e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut.
“Sot, më shumë se kurrë, është me rëndësi jetike të festojmë gratë dhe burrat të cilët, përmes guximit, vendosmërisë dhe forcës së tyre, na tregojnë rrugën drejt lirisë. Lufta e tyre është një shembull për të gjithë ne dhe më vjen mirë që Çmimi Vaclav Havel për të Drejtat e Njeriut ka festuar veprimin e tyre, që nga krijimi i tij njëmbëdhjetë vite më parë,” u shpreh Theodoros Rousopoulos, i cituar në komunikatë.
Fituesi i çmimit të këtij viti pritet të shpallet në hapjen e sesionit plenar të vjeshtës të APCE-së në Strasburg, më 30 shtator. Çmimi Vaclav Havel për të Drejtat e Njeriut jepet çdo vit nga APCE, në partneritet me Bibliotekën Vaclav Havel dhe Fondacionin Charta 77. Ai përfshin një shpërblim prej 60,000 eurosh, një trofe dhe një diplomë.
Që nga krijimi i tij, çmimi është dhënë me radhë Osman Kavalës (2023), Vladimir Kara-Murzës (2022), Maria Kalesnikavës (2021), Loujain Alhathloulit (2020), Ilham Tohti dhe Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut (2019), Oyub Titievit (2018), Murat Arslan (2017), Nadia Muradit (2016), Ludmilla Alexeeva (2015), Anar Mammadli (2014) dhe Ales Bialiackit.