Kina është “prishësja më e madhe” e paqes në Azinë Juglindore, ka thënë shefi i mbrojtjes së Filipineve, Gilberto Teodoro, teksa rriten tensionet mes Manilas dhe Pekinit për ujërat e kontestuar, në Detin e Kinës Jugore.
Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë të Komandës së Shteteve të Bashkuara në Indo-Paqësor, pas konfrontimeve të vazhdueshme në mes të anijeve filipinase dhe kineze në ujërat e atij rajoni në 12 muajt e fundit.
Pekini pretendon se zotëron pothuajse gjithë detin, dhe hedh poshtë pretendimet e shteteve tjera, përfshirë Filipineve, por edhe një vendim ndërkombëtar që thotë se qëndrimi kinez nuk ka bazë ligjore.
Kina ka pretendime edhe për shkëmbinjtë nënujorë dhe ujërat e Zonës Ekskluzive Ekonomike të Filipineve, e cila shtrihet 370 kilometra prej ujërave bregdetare të vendit.
“Kina është prishësja më e madhe e paqes ndërkombëtare në rajonin e Azisë Juglindore”, ka thënë Teodoro.
Kina patrullon vazhdimisht ujërat e asaj zone dhe ka krijuar ishuj artificialë për t’i militarizuar pretendimet e veta.
Presidenti amerikan, Joe Biden me shefin e Partisë Komuniste të Vietnamit, Nguyen Phu Trong.
Duke folur para gazetarëve, Teodoro u ka bërë thirrje shteteve që t’i kritikojnë “veprimet e paligjshme të Kinës”, dhe që t’i bëhet presion për t’iu dhënë fund veprimeve të veta.
“Na duhet një konsensus kolektiv dhe veprime të fuqishme kundër Kinës”, ka thënë Teodoro.
Marrëdhëniet në mes të dyja vendeve janë tensionuar pasi administrata e presidentit të Filipineve, Ferdinand Marcos, u kundërvihet vazhdimisht veprimeve kineze në ujërat e kontestuar.