NATO ka rritur nivelin e sigurisë në bazën e saj ajrore në Geilenkirchen, në Gjermaninë perëndimore, për shkak të një “kërcënimi të mundshëm”, njoftoi baza në një deklaratë të transmetuar natën e së enjtes deri të premten në llogarinë e saj në platformën X, raporton AFP.
Vendimi është marrë “në bazë të të dhënave nga shërbimet e inteligjencës”, ka treguar burimi i cituar, pa dhënë detaje të tjera.
Të gjithë punonjësit “jo thelbësorë” janë dërguar në shtëpi si masë paraprake. “Siguria e personelit tonë është përparësia jonë absolute. Operacionet vazhdojnë siç është planifikuar,” thuhet në deklaratë.
Njoftimi vjen më shumë se një javë pas një incidenti në një bazë ushtarake në qytetin fqinj të Këlnit që ishte mbyllur përkohësisht pas një sabotimi të mundshëm të furnizimit me ujë.
Rezultatet e testit përfundimisht treguan se uji i rubinetit nuk ishte i kontaminuar, tha ushtria gjermane (Bundeswehr).